Jugu i Serbisë po kthehet në varrezë fabrikash – brenda një viti 5.000 punëtorë kanë mbetur pa punë.

Një grup joformal studentësh të Universitetit të Nishit ka reaguar sot pas mbylljes së fabrikës “Leoni” në Maloshishtë, duke theksuar se gjatë vitit të fundit jugu i Serbisë është shndërruar në “varrezë fabrikash”, nga të cilat 5.000 punëtorë kanë dalë të papunë.

“Njëra pas tjetrës po mbyllen. Investitorët që për vite kanë marrë subvencione enorme nga shteti, largohen. Sallat e prodhimit mbesin bosh, ndërsa e vetmja gjë që hapet vazhdimisht janë gojët plot premtime të presidentit. Çdo ‘hapje’ e tij është në fakt hyrje për një mbyllje të re”, thuhet në reagimin e studentëve të Universitetit të Nishit. Sipas tyre, në jug të Serbisë tashmë nuk pyetet nëse do të mbyllet një fabrikë, por sa ditë pas vizitës së presidentit do të ndodhë kjo.

Ata rikujtojnë se vetëm tri ditë më parë, Nishi ishte shndërruar në skenografi të një “reality-shou presidencial”, me kamera, sigurim të madh, statistë në autobus dhe hapjen pompoze të fabrikës “Ariston”.

“Presidenti u shfaq në faqet e para gazetash, duke na shpjeguar se Serbia po lulëzon, se investimet po shpërthejnë, se e ardhmja është e ndritshme. Por realiteti e demanton. Vetëm pak ditë pas vizitës së tij, edhe një fabrikë tjetër u mbyll dhe 1.900 punëtorë mbetën pa punë”, theksojnë studentët.

Sipas njoftimit, punëtorët e “Leonit” kanë marrë një thirrje që të mos paraqiten më në punë sepse fabrika po mbyllet – në të njëjtën kohë ndërsa presidenti shfaqej live duke shëtitur në orën 3 të mëngjesit nëpër qytet, duke ngrënë burek në një furrë pranë Nishit së bashku me kryetarin e komunës Dragoslav Pavloviq, dhe duke pritur një autobus të marrë me qira që e paraqiste si transport publik.

“Nëse Ariston është simbol i ‘zhvillimit’, përse fabrikat po mbyllen më shpejt sesa hapen? Nëse kjo është sukses, përse punëtorët masivisht mbesin pa punë? Nëse kjo është politikë e përgjegjshme, ku janë zgjidhjet për mbi 5.000 njerëz që në një vit të tërë në jug kanë mbetur pa asnjë vend pune?”, pyesin studentët.

Ata theksojnë se për presidentin fabrikat shërbejnë vetëm si dekor.

“Punëtorët janë material i harxhueshëm, jugu i Serbisë është poligon për poena politikë të lirë, ndërsa e ardhmja e njerëzve bëhet dëm kolateral. Kur fiken kamerat, fiket gjithçka tjetër”, thuhet në reagim. Studentët madje i bëjnë thirrje presidentit të mos hapë më asgjë: “Sa herë ai pret shiritin, dikush tjetër së shpejti humb vendin e punës ose pëson nga neglizhenca dhe korrupsioni”.

Në fund, ata përmbyllin me konstatimin e tyre të ashpër:
“E vërteta e hidhur është kjo: Aleksandar Vuçiq nuk sjell zhvillim – sjell mbyllje. Nuk sjell siguri – sjell papunësi. Nuk sjell të ardhme – vetëm salla të zbrazëta dhe barkë të zbrazët”.

Sipas tyre, kontinuiteti i vetëm i politikave të tij është “kolapsi i plotë ekonomik dhe shkatërrimi i shtetit”.