Kamera të reja përgjatë rrugës nga e cila kalojnë qindra mijëra qytetarë çdo vit

Turistët që udhëtojnë drejt Greqisë duhet ta dinë se nga tani, gjatë transitit në Maqedonia e Veriut, i “presin” kamera që regjistrojnë automatikisht tejkalimin e shpejtësisë dhe kalimin në dritë të kuqe. Edhe nëse shoferët nuk i vërejnë, gjobat – që variojnë nga 20 deri në 300 euro – do t’i presin në kufi.

Nga 1 shkurti, pas miratimit të ndryshimeve ligjore me shumicë të cilësuar në parlament, Maqedonia e Veriut ka vënë në funksion sistemin e avancuar të video-mbikëqyrjes “Safe City”. Ky sistem mundëson zbulimin automatik të shkeljeve në komunikacion, pa praninë e policisë në terren.

Sistemi përfshin edhe autostradën që gjatë verës përdoret nga mijëra qytetarë në rrugë drejt destinacioneve turistike në Greqi.

Kamerat janë instaluar në qytete dhe segmente kyçe rrugore, përfshirë: Shkup, Kumanovë, Tetovë, Korridori 8, Korridori 10.

Këto janë drejtimet më të frekuentuara transitore: Korridori 8 lidh vendin me Shqipërinë, ndërsa Korridori 10 me Greqinë dhe përdoret nga numri më i madh i turistëve.

Sipas autoriteteve gjobat janë:

  • +20 km/h mbi limit → 20 €

  • +30 km/h mbi limit → 45 €

  • +30–50 km/h mbi limit → 300 €

Në segmentet me kamera lejohet një tolerancë prej 8 km/h. Shembull: nëse kufiri është 100 km/h dhe vozitni 107 km/h, shkelja nuk regjistrohet.

Kalimi në dritë të kuqe dënohet me 250 €, si dhe me ndalim drejtimi nga 3 muaj deri në 1 vit.

Gjobat e regjistruara nga sistemi do të arkëtohen në kufi.

Sipas mediave në Shkup, autoritetet theksojnë se qëllimi i projektit nuk është mbushja e buxhetit, por ulja drastike e aksidenteve. Gjatë periudhës testuese, në dhjetor 2025, në kryeqytet u shënua 20% më pak aksidente krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak.

Zgjerimi i sistemit, i njohur edhe si “Shteti i Sigurt”, pritet të përfundojë deri në fund të vitit, duke mbuluar tërë territorin e Maqedonisë së Veriut me kamera.