Kina dënon me burgim të përjetshëm një shtetas amerikan 78-vjeçar nën akuzën për spiunazh

Kina dënoi një shtetas amerikan 78-vjeçar me burgim të përjetshëm të hënën nën akuzat për spiunazh, në një rast që mund t’i përkeësojë edhe më shumë marrëdhëniet midis Pekinit dhe Uashingtonit.

Detajet e akuzave kundër John Shing-Wan Leung, i cili gjithashtu ka rezidencë të përhershme në Hong Kong, nuk janë bërë publike.

Leung u arrestua më 15 prill 2021, nga byroja lokale e agjencisë së kundërzbulimit të Kinës në qytetin juglindor të Suzhou, sipas një deklarate të postuar nga gjykata e ndërmjetme e qytetit në faqen e saj të mediave sociale. Ndalimi i tij erdhi pasi Kina kishte mbyllur kufijtë e saj dhe kishte vendosur kufizime të rrepta të udhëtimit të brendshëm dhe kontrolle sociale për të luftuar përhapjen e COVID-19, raporton Associated Press, transmeton Klankosova.tv.

Hetime dhe gjykime të tilla mbahen me dyer të mbyllura dhe përgjithësisht jepen pak informacione, përveç akuzave të paqarta për infiltrim, mbledhje të informatave sekrete dhe kërcënim për sigurinë e shtetit, transmeton Klankosova.tv.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë në nivelin më të ulët në dekada mes mosmarrëveshjeve mbi tregtinë, teknologjinë, të drejtat e njeriut dhe qasjen gjithnjë e më agresive të Kinës ndaj pretendimeve të saj territoriale që përfshijnë Tajvanin vetëqeverisës dhe Detin e Kinës Jugore.

Vizitat qeveritare të nivelit të lartë janë pezulluar dhe kompanitë amerikane po vonojnë investimet e mëdha mes mesazheve të përziera nga Pekini.