KKSh nis nismën për specializimin e mjekëve nga Lugina në Shqipëri

Një iniciativë e re për avancimin profesional të mjekëve nga Lugina e Preshevës është diskutuar gjatë një takimi të zhvilluar me Ambasadorin e Shqipërisë në Beograd, Sh.T. Z. Bardhyl Canaj.

Në këtë takim, ku morën pjesë mjekë të rinj nga Lugina të diplomuar në Shqipëri, u theksua nevoja për mundësimin e specializimeve në institucionet shëndetësore dhe universitare në Shqipëri. Sipas pjesëmarrësve, rritja e numrit të kuadrove të specializuara është thelbësore për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe forcimin e kapaciteteve profesionale në rajon.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, bëri të ditur se janë dakorduar hapat e parë për nisjen e një iniciative institucionale, e cila do të zhvillohet me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë. Qëllimi i kësaj nisme është sigurimi i kuotave të veçanta për specializim për mjekët nga Lugina e Preshevës.

Nga Këshilli Kombëtar Shqiptar është bërë edhe një thirrje publike për të gjithë mjekët e interesuar që të dërgojnë kërkesat e tyre në adresën elektronike kksh.bujanoc@gmail.com, në mënyrë që mbi bazën e këtyre aplikimeve të ndërmerren hapat e mëtejshëm për adresimin dhe avokimin institucional të kësaj çështjeje.