Kosovë: Paraqitet rasti i parë këtë vit i Gripit të Shpezëve në këtë Komunë

Rasti i parë në këtë vit i Gripit të Shpezëve “Avian Influenza” është paraqitur në fshatin Godancë të Shtimes.

Agjencisa e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar përmes një njoftimi duke thënë se kanë nxjerrë vendim për masat e përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes.

“Pas konfirmimit të prezencës se sëmundjes, Gripi i Shpezëve – Avian Influenza në një fermë jo komerciale në Shtime, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë sot më datë 16.11.2023 ka nxjerrë ‘Vendim’ me nr AUV 01/619 për masat e përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes Gripi i Shpezëve-Avian Influenza.

Zona në perimetër 3 km nga ferma në Fshatin Godancë, komuna Shtime, shpallet zonë karantine e ndalimit të lëvizjes se shpezëve. Ndërsa zona në perimetër 10 km shpallet zonë nën mbikëqyrje për hulumtim”, thuhet në njoftim.

Masat e përgjithshme:

Ndalimin e lëvizjes së shpezëve nga fermat dhe tregtimi i tyre në tregjet e kafshëve – shitblerja e shpezëve;

Vendosja e masave të bio-sigurisë në ferma (vetëkontrolli),

Përcaktimi i zonave të mbrojtura (3 km) dhe gjurmueshmëria e sëmundjes (10 km); dezinfektimi i objektit dhe zonave përreth ku ka shpërthim të sëmundjes;

Njoftimi i rasteve të dyshimta për sëmundjen Gripi i Shpezëve;

Vizita e fermave të dyshuara nga ambulancat veterinare në koordinim me inspektorët veterinar, marrja e mostrave dhe dërgimi në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë

Përcaktimi i lokacioneve për groposjen e shpezëve.

Përjashtimisht nga masat e lartcekura, lejohet lëvizja shpezëve nga fermat e lira nga kjo sëmundje në thertore të licencuara vetëm me pëlqimin e inspektorit veterinar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Reklama

Urdhërohen të gjithë menaxheret e tregjeve që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi të pezullojnë punën në pranimin e shpezëve në hapësirat e tyre.

Obligohet Komuna e Shtimes, Policia e Kosovës, në koordinim dhe bashkëpunim me AUV-në të bëjnë mbikëqyrjen e zbatimit të masave.

Vendimi hyn në fuqi sot datë 16.11.2023.