Krerët në Serbi e ashpërsojnë gjuhën pas betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se s’do ta lejoj Kosovën që të bëhet e pavarur. Këtë deklaratë, Vuçiq e bëri duke iu referuar fuqive perëndimore të cilat i njohën zgjedhjet lokale në katër komunat veriore, shkruan Gazeta Sinjali

“Nuk do t’i lë ta shkatërrojnë Serbinë, nuk do t’i lejoj ta bëjnë Kosovën të pavarur, ata nuk do ta udhëheqin politikën e jashtme të Serbisë”, tha Vuçiq nga një tubim në Pançevë, shkruan “Kossev”.

Vuçiq, ka thënë të premten në një takim të Partisë së tij Progresive Serbe (SNS) në Pançevë, afër Beogradit, se ka pritje që Serbia ta dorëzojë Kosovën “në pjatë”.

“Bëni çfarë të doni, jashtë dhe brenda, këtu në shtet, nuk do të lejoj që të shkatërrohet Serbia, dhe nuk do të ketë Kosovë të pavarur”, ka thënë Vuçiq..

Ai ka thënë se nuk do t’iu “shërbejë” kurrë të huajve.

“Ata nuk do ta udhëheqin politikën e jashtme të Serbisë. Ata nuk do të vendosin për mua se kë ta sanksionoj, njerëzit do të vendosin, ata nuk do të vendosin për mua nëse Serbia do t’i bashkohet NATO-s, njerëzit do të vendosin”, ka thënë Vuçiq.

“Jo zmbrapsje, jo dorëzim, ne do ta ruajmë shtetin tonë”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq nuk ka mundur ta kontrollojë nervozën në Parlamentin serb, gjatë përplasjeve me opozitën, ku pati disktuime të ashpra.

Një në moment ajo humb kontrollin dhe e godet mikrofonin para saj.

“Turp ju qoftë”, i drejtohet me zë të lartë opozitës, Bërnabiq.

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq e ka quajtur “pushtim” ardhjen në detyrë të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut Erden Atiq, duke thënë se me veprimet e tyre “Kurti dhe Prishtina [zyrtare] duan të dëbojnë popullin serb nga Kosova dhe të provokojnë luftë”.

“Simboli i atij pushtimi dhe ajo leckë [flamuri i Kosovës] që e kanë ekspozuar në ndërtesën komunale të Mitrovicës…nuk do të jetë kurrë flamur për ne. Do të qëndrojë atje për aq kohë sa vetë pushtimi, dhe kjo do të thotë jo për shumë kohë”, tha Petkoviq në një konferencë për media pas betimit të Atiq si kryetar i komunës.

Atiq, më 19 maj u betua para Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, procedurë kjo solemne për të marrë detyrën si kryetar. Atiq fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave. Gjatë seancës solemne të betimit të tij, në ndërtesën e komunës është vendosur flamuri i Kosovës.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Petkoviq në deklaratën e tij tha se është e papranueshme që dikush që ka fituar kaq vota tash të udhëheqë komunën e Mitrovicës së Veriut.

“E keni të qartë se dikush që nuk ka legjitimitet nuk mund t’i përfaqësojë qytetarët e asaj komune siç ka thënë Atiq, kur ka deklaruar se do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve. Cilët qytetarë, kur për të kanë votuar vetëm dy serbë?”, tha ai.

Petkoviq gjithashtu bëri të ditur se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është duke biseduar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak për, siç tha, “të gjitha pasojat e sjelljes, incidenteve dhe provokimeve të Kurtit, të cilat mund të kthehen në krizën më të madhe deri më tani”.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – u mbajtën pasi kryetarët paraprakë nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar.

Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës që obligonte shoferët me makina me targa ilegale të lëshuara nga Serbia, t’i riregjistronin ato në targat legale RKS – Republika e Kosovës.

Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.

Shtetet e QUINT-it të enjten vonë kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën e krijuar në veri të Kosovës, duke thënë se zgjedhjet e 23 prillit nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjatë për komunat e përfshira, për shkak të bojkotit nga komuniteti serb.

Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, ky grup shtetesh i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve “që urgjentisht të punojnë së bashku mes vete të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna”.