Kurti e Osmani përfundojnë takimet me opozitën

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, kanë përfunduar takimet konsultative me subjektet politike.

Takimet kanë nisur të në fillim të javës me kryetarë dhe përfaqësues të partive politike: PDK, LDK, AAK, KDTP, NDS, IRDK, VAKAT, PAI, SDU, LPRK, Lista Serbe, JGP dhe Romani Iniciativa.

Në një komunikatë të përbashkët, LVV/Lista e Vjosa Osmanit, thuhet se me të gjitha palët takimet janë zhvilluar në frymë konstruktive.

“Përgjatë këtyre takimeve, Kurti dhe zonja Osmani i kanë informuar subjektet politike për përgatitjet dhe ecurinë e krijimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Në këtë kontekst, të dy kandidatët u kanë ofruar subjekteve politike bashkëpunim për çështje të interesit nacional”, thuhet në komunikatë.

Siç njoftohet ata kanë kërkuar konstruktivitet të subjekteve politike deri në përmbylljen e procesit nëpërmjet prezencës në të tri seancat e zgjedhjes në të tri institucionet kryesore të shteti.

Tutje thuhet se në përmbyllje të takimeve, Kurti dhe Osmani kanë shfaqur optimizmin që ky proces të përmbyllet me sukses dhe në përputhje me vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhjet e 14 shkurtit, njofton Telegrafi.

Ndryshe, të hënën është caktuar seanca ku pritet të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe krijimi i Qeverisë së re.

Por, ende është e paqartë se a do  të ketë vota të mjaftueshme edhe për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka 19 deputetë të zgjedhur në Kuvend, ka deklaruar përfundimisht se nuk do ta përkrahë Vjosa Osmanin si presidente.

Kryetari në detyrë i kësaj partie, Enver Hoxhaj ka ritheksuar sot se PDK nuk do të votojë Vjosa Osmanin për presidente, madje nuk do të merr pjesë as në votim.

“Qëndrimi i PDK-së është i qartë. Ne nuk e mbështesim kandidaturën e saj, nuk votojmë për të, nuk marrim pjesë në votim. Prandaj çështjet e tilla të qëndrimeve në sallë mendoj që janë tema të natyrës teknike…”, tha ai, raporton Telegrafi.

Ndryshe, nga PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka 15 deputetë të zgjedhur, ende nuk e ka specifikuar qëndrimin zyrtarë se a do të përkrahë apo jo ish-bashkëpartiaken e tyre, Vjosa Osmani.