Lutfiu kritikon Qeverinë e Serbisë për diskriminim në investime!

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu ka kritikuar Qeverinë e Serbisë për diskriminim në investimet që po realizohen në Komunën e Bujanocit.
Lutfiu ka shkruar se viteve të fundit Qeveria ka investuar në shkollat me nxënës serbë, duke i diskriminuar ato shqiptare, përkundër kërkesave urgjente për ndërhyrje në shkollat shqipe.

Ky është shkrimi i Lufiut në Facebook:

Qeveria e Serbisë investon 5.3 milionë euro vetëm në shkollat me nxënësit serbë, refuzon investimet në shkollat me nxënës shqiptarë.

Me keqardhje të thellë, më duhet që në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar të paraqes një listë të investimeve që Qeveria e Serbisë e ka bërë për shkollat në Luginën e Preshevës, e ku në fokus të investimeve janë vetëm shkollat ku mësojnë nxënësit serbë kurse nga listat e investimeve janë përjashtuar tërësisht shkollat ku mësojnë nxënësit shqiptarë.
Më poshtë, po i paraqes me shifra investimet që janë bërë e janë duke u bërë në shkollat ku mësojnë nxënësit serbë:
– Renovimi i shkollës fillore “Branko Radiqeviq”, në Bujanoc, 233.887.773.36 dinarë apo 1.98 milionë euro.

– Renovimi i shkollës së mesme “Sveti Sava” në Bujanoc, 200.147.821,80 dinarë apo 1.7 milionë euro.

– Renovimi i sallës së sportit të shkollës “Branko Radiqeviq”, në Bujanoc, 150.541.972.54 dinarë apo 1.28 milionë euro.

– Ndërtimi i terrenit sportiv tek shkolla fillore “Vuk Karaxhiq”, në fshatin Osllare, 2.696.891 dinarë apo 22937 euro.

-Ndërtimi i terrenit sportiv tek shkolla fillore “Vuk Karaxhiq”, në fshatin Levesojë, 314.000 euro.

Ndërsa kërkesa e fundit për renovimin e shkollës fillore “Sami Frashëri” në fshatin Lluçan është refuzuar. Ne nuk jemi kundër investimeve në shkollat ku mësojnë nxënësit serbë. Përkundrazi i gëzohemi mundësive më të mira për mësim-nxënie tek nxënësit e gjitha komuniteteve. Por, Këshilli Kombëtar Shqiptar mbetet tejet i shqetësuar me diskriminimin në kufi të racizmit që po ndodhë në një vend që synon integrime evropiane.
p.s. Pamja në foto është nga shkolla në fshatin Lluçan.