Mbahet sot Samiti BE-Ballkani Perëndimor, liderët që marrin pjesë dhe temat që do diskutohen





Mbahet këtë të martë (6 dhjetor) në Tiranë Samiti i BE-Ballkani Perëndimor. Zhvillimi i këtij samiti i konsideruar si historik nga Kryeministri Edi Rama, do të mbahet për herë të parë në vendin tonë nën masa të rrepta sigurie.

Ashtu sikurse u paralajmërua dhe më herët nga Policia, disa prej akseve kryesore në Tiranë janë “blinduar”, ku qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve nuk është i lejuar për të mundësuar mbarëvajtjen e samitit.

Nga ora 06:00 e mëngjesit të kësaj të marte deri në orën 18:00 automjetet nuk do të lejohen të kalojnë në perimetrin e sigurisë, ndërsa në rrugët e tjera që përfshihen në itinerarin e lëvizjeve në kuadër të Samitit, bllokimi do të fillojë në orën 08:00.

Akset e bllokuara:
– Rruga “Rinas – Qafë Kashar” dhe anasjelltas;
– Autostrada “Tiranë- Vorë” dhe anasjelltas;
– Unaza e Madhe, nga ish-sheshi “Shqiponja”, deri te rrethi i Sanatoriumit, dhe anasjelltas;
– Rruga e Elbasanit nga rrethi i Sanatoriumit deri tek ura e Elbasanit dhe anasjelltas.
-Rrugët që lidhin rrugën e Elbasanit, me rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Faik Konica”, “Fatmir Haxhiu”, “Gjeneral Nikols”, rrugën e Atjonit, “Sheh Ahmet Pazar”, si dhe të gjitha rrugët që lidhin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me rrugët “Ibrahim Rugova”, “Ukraina e lirë” dhe “Lek Dukagjini”.

Në samitin e kësaj të marte marrin pjesë Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen; Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel; Presidenti i Francës, Emmanuel Macron; Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz; Kryeministri i Greqisë; Kryeministri i Hungarisë; Kryeministrja e Italisë; Kancerlari i Austrisë; Kryeministri i Belgjikës; Presidenti i Bullgarisë; Kryeministri i Kroacisë; Presidenti i Qipros; Kryeministri i Çekisë; Kryeministrja e Danimarkës; Kryeministrja e Finlandës; Kryeministri i Irlandës; Kryeministri i Letonisë; Kryeministri i Lituanisë; Kryeministri i Luksemburgut; Kryeministri i Maltës; Kryeministri i Holandës; Kryeministri i Polonisë; Kryeministri i Portugalisë; Presidenti i Rumanisë Kryeministri i Sllovakisë; Kryeministri i Sllovenisë; Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson; Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç mohoi fillimisht pjesëmarrjen në samit, por të hënën deklaroi se do të merrte pjesë pasi sipas tij mospjesëmarrja do të ishte një humbje për vendin e tij.

Disa prej temave që do jenë kryefjalë e samitit janë lufta në Ukrainë, migracioni, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar si edhe përforcimi i sigurisë me qëllim parandalimin e ndërhyrjeve të huaja.