Skuadra e Shkëndijës që para shtatë ditësh përfundoi angazhimet e paraqitjeve në kampionatin vendor, për gjysmësezonin vjeshtor dhe tani janë të fokusuar vetëm në garat e UEFA Ligës së Konferencës, njofton Telegrafi.
Tetovarët nuk arritën ta fitojnë epitetin “kampion i vjeshtës”, ndërsa ndërkohë i lejuan Vardarit dhe Strugës të krijojnë një epërsi të konsiderueshme në krye të tabelës. Çmimi për këtë, pa dyshim, u pagua në arenën evropiane.
Këtë sezon, Shkëndija shkroi një faqe të re në historinë e klubit, duke u paraqitur për herë të parë në fazën ligës të një gare nën ombrellën e UEFA-s.
Në xhiron e fundit të fazës së grupeve, skuadra kuqezi nga Tetova e pret një përballje e vështirë në Qipro ndaj AEK Larnakës.
Fitorja ndaj Slovan Bratislavës i ringjalli shpresat për kualifikim në “play-off”, ndaj përballja në Qipro për Shkëndijën merr karakterin e një ndeshjeje “merr gjithçka ose asgjë”.
Suksesi ndaj kampionit sllovak e riktheu besimin te ekipi nga Tetova, edhe pse barazimi i hidhur me Jagjelloninë, me golin e pësuar në minutat e fundit, si dhe humbja nga Drita, janë ende të freskëta në kujtesë.