Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, veprimtari Bajraktari: Mesazh i qartë, stabiliteti dhe e ardhmja e Kosovës interes strategjik i ShBA-ve

Veprimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari ka bërë të ditur se presidenti amerikan, Donald Trump ka nënshkruar Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili autorizon mbi 901 miliardë dollarë për programet e mbrojtjes dhe në të cilin është përfshirë edhe Kosova.

Bajraktari në një postim në Facebook shkruan se kjo reflekton peshën dhe rëndësinë që Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi amerikan i kushtojnë sigurisë së Kosovës dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.

Lexoni të plotë postimin e Bajraktarit:

Historike

Presidenti Donald Trump nënshkruan Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili autorizon mbi 901 miliardë dollarë për programet e mbrojtjes dhe në të cilin është përfshirë edhe Kosova. Kjo reflekton peshën dhe rëndësinë që Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi amerikan i kushtojnë sigurisë së Kosovës dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.

Mesazhi është i qartë: paqja, stabiliteti dhe e ardhmja demokratike e Kosovës janë interes strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare:

  • – Mbështet zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veria-Atlantike
  • – Mbështet qartë marrëveshjen për normalizim Kosovë–Serbi dhe kërkon zbatim real të saj
  • – Konfirmon se qëllimi final është njohja reciproke
  • – Refuzon çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike
  • – Forcon mbështetjen amerikane për demokracitë e Ballkanit Perëndimor dhe për procesin e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian

Kjo nuk është simbolike. Është një garanci politike dhe strategjike se integriteti territorial, sovraniteti dhe orientimi pro-perëndimor i shtetit tonë mbeten të mbrojtura nga aleati ynë më i madh.