Nderim e përulje para figurës së shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli

Të dielën, më datë 01.10.2023, në Uster të Kantonit të Zyrihut, “Shkolla Shqipe” në Zvicër, me mbështetje të Ambasadës së RSH-së dhe Shoqatës Kulturore “Bashkimi”, organizoi një program kulturor në nder të shkrimtarit të shquar dhe Nderi i Kombit shqiptar, Dritero Agolli!

Në këtë aktivitet të pasur kulturor, morëm pjesë shumë nxënës, prindër dhe veprimtarë të diasporës shqiptare në Zvicër. Nën kujdesin e Koordinaorit Vaxhid Sejdiu dhe mësueseve të “Shkollës Shqipe”, programi ishte i pasur me recitime, valle e këngë nën moton “Një varg, një këngë, një tufë lule për Dritëroin”.

Nga Ambasada RSH-së në Bernë, mori pjesë Sekretari i Parë, z.Valon Gashi i cili përshëndeti organizimin e këtij aktiviteti dhe përgëzoi “Shkollën Shqipe” për hapjen e klasave shqipe, për ruajtjen, kulturën dhe historinë shqiptare.

Këtë aktivitet me rastin e 92-vjetorit të lindjes së Dritëro Agollit e pashëndeti dhe e bija znj. Elona Agolli përmes një video-mesazhi për të gjithë të pranishmit.

Ky ishte fjalimi i mbajtur nga sekretari i parë i Ambasadës në Zvicër, z. Valon Gashi.

Të nderuar të pranishëm!

“Shkolla Shqipe” në Zvicër, bashkë me këta fëmijë të zgjuar e të bukur na kanë mbledhur sot për një arsye të fisme kulturore, në nder shkrimtarit të shquar dhe Nderi i Kombit shqiptar, Dritero Agolli!

Në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë, më lejoni t’ju përcjell urimin tim!

Ne jemi sot së bashku në shenjë nderimi dhe përuljeje ndaj figurës së madhe të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Në përvjetorin e ditëlindjes së të përjetshmit Drithëro Agolli, ne kryejmë njëherësh aktin nderues dhe atë të shprehjes së mirënjohjes për figurën madhore dhe komplekse të Tij. Rikthejmë edhe një herë, në kujtesën dhe nderimin tonë, mirënjohjen për visaret dhe kryeveprat artistike të shkrimtarit tonë të dashur.

Përbashkojmë dhe shtojmë në emër të diasporës dhe emigracionit në Zvicër, nga të gjitha trevat, vlerësimin për autorë dhe vepra të shquara të letërsisë sonë kombëtare.

Dritero Agolli, ashtu sikundër e thotë një miku i tij i ndjerë, poeti i shquar popullor nga Jugu i Shqipërisë, Princi i Polifonisë Shqiptare Lefter Çipa, e ka zënë vendin nderues në majën e panteonit të kulturës sonë kombëtare, për shkak të vetive dhe lëndës shkrimore që na ka lënë.

Në shkrimin memorialistik:” Ç’më flet zëri i shpirtit, zëri i Dritëroit”, ndër të tjera Çipa i nderuar shprehet:

“Për këtë arsye, të nderuarit kombëtarë, kanë veti dritën, të cilën e derdhin për kombin, duke kryer, pse jo, flijimin e shpirtit dhe duke fituar shenjtërimin. Aspirimet e Dritero Agollit ishin edhe tonat, mes te cilave spikatën dituria, urtësia, dashuria për jetën dhe njeriun. Këto na krenonin. Virtytet e tij shpirtërore na çonin në zgjime zgjuarsie. Për këtë arsye, Dritero Agolli është i rralli ndër të rrallët”, – nënvizon poeti.

Të nderuar të pranishëm, i nderuari profesor Vaxhid Sejdiu, në emër të Ambasadës Shqiptare dua t’ju falenderoj dhe të shpreh vlerësimin tim që Ju nderoni një majë të lartë të kontributorve, kulturës dhe letërsisë shqiptare. Bekuar qofshi!

I përjetshëm Driteroi ynë!