Në veri dëgjohen thirrjet “tradhti” e ofendime ndaj Vuçiqit

Pas disa orësh tensione, është qetësuar situata në Mitrovicën e Veriut. Gjatë ditës, Policia ka arrestuar një të dyshuar për sulmet ndaj KFOR-it e Policisë. Në aksion u lënduan tre policë. Pas arrestimit, në veri u lëshua alarmi, ndërsa Policia shtoi praninë në Lagjen e Boshnjakëve. Pas disa orësh qëndrimi në prani të shtuar, Njësia Speciale e Policisë është zhvendosur pas bisedës me KFOR-in pasi kishte hyrë më thellë në pjesën veriore. Janë kthyer sërish në Lagjen e Boshnjakëve, raporton gazetari i KOHËS, Fitim Gashi.

Siç ka raportuar Radio Evropa e Lirë, disa njerëz janë grumbulluar në afërsi të shkollës teknike në Mitrovicë të Veriut, duke brohoritur “tradhti” si dhe e kanë ofenduar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Që nga 26 maji, serbët në veri janë duke protestuar kundër vendosjes së kryetarëve të rinj të komunave në objektet komunale në veri.

Protestat fillimisht ishin të dhunshme. Nga përplasjet pësuan 30 ushtarë të KFOR-it e disa policë të Kosovës.

Situata më pas ka qëndruar më e qetë.

Të martën, kryeministri Albin Kurti doli me propozim pesëpikësh për shtensionim në veri. Ka thënë se propozimin ua ka dërguar edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, por se ende s’ka marrë përgjigje.