Nobelisti Shechtman: Kosova po tkurret, ka pak fëmijë

Nobelisti izraelit Dan Shechtman ka folur për rënien e natalitetit në Kosovë, të cilën ai e cilësoi si problematike, pasi, sipas tij, qytetarët janë burimi kryesor i zhvillimit të këtij vendi.

“Tani është dy fëmijë për grua dhe së shpejti do të zbriste te standardi evropian 1.5 që nuk është mirë, pasi qytetarët e Kosovës janë burimi kryesor i vendit tuaj. Nuk është as metali as mineralet, pra është mendësia e njerëzve dhe këtë nuk mund ta nxirrni nga dheu, por duhet ta zhvilloni… Ky është një problem madhor, duhet të rriteni dhe tani situata është se ju jeni duke u tkurrur se nuk kemi shumë fëmijë”, ka thënë Shechtman për Info Magazinë.

Ai tha se Kosova duhet të ketë arsim të mirë në të gjitha nivelet.

“Unë, një person i vetëm, kam gati 10 mijë inxhinierë, që e kanë vijuar klasën te unë. Pra, duhet të jeni aktivë në promovimin e arsimit të shkëlqyeshëm”, ka shtuar ai.

Shechtam theksoi se Kosova duhet të krijojë kushte të mira, në mënyrë që qytetarët të mos largohen nga vendi.