“Për Kosovën s’ka parime”, Vuçiq me tone përçmuese ndaj Trumpit: Publiku nuk reagoi ndaj “akrobacive” të tij në Davos

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar me tone skeptike dhe herë-herë përçmuese paraqitjen e presidentit amerikan Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke thënë se audienca nuk reagoi ndaj humorit dhe “akrobacive” të tij, në një atmosferë që sipas Vuçiqit ishte e mbushur me frikë dhe pasiguri globale.

Duke folur për përshtypjet nga Davosi, Vuçiq tha se Trump është “simpatik” dhe di si ta bëjë audiencën të qeshë, por se këtë herë përballë kishte një publik shumë serioz, i cili nuk reagoi siç ishte mësuar.

“Trump është simpatik, ai di si ta bëjë audiencën të qeshë, por audienca atje është shumë serioze dhe njerëzit nuk reagojnë gjithmonë ndaj akrobacive. Nuk më ka ndodhur kurrë të dëgjoja kaq pak reagime, kurrë më bosh”, tha Vuçiq.

Ai përshkroi Davosin si një vend ku dominonte frika, duke përmendur drejtuesit e kompanive më të mëdha teknologjike amerikane.

“Pashë humorin e njerëzve. Ishin njerëzit më të fuqishëm, krerët e kompanive si Nvidia dhe gjigantë të tjerë teknologjikë. Kurrë nuk kam parë një botë më të frikësuar, më nervoze dhe me më pak dëshirë për të marrë pjesë. Të gjithë donin të strehoheshin”, u shpreh presidenti serb, shkruajnë mediat serbe.

Vuçiq: Trump e nxori hapur se nuk ka parime për Kosovën