Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i fton shqiptarët e Luginës të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka dërguar sot një mesazh shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, ku i fton ata që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e sotme të jashëzakonshme parlamentare dhe lokale në Serbi.

Ajo thotë se pjesëmarrja në zgjedhjet në Serbi është kundërpërgjigja ndaj politikës shoviniste të Beogradit.

„Pjesëmarrja sa më masive e bashkëkombësve tanë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në zgjedhjet e sotme parlamentare është kundërpërgjigja më e duhur dhe demokratike kundër politikës shoviniste të Beogradit, e cila, para syve të botës, vazhdon ta realizojë spastrimin etnik kundër shqiptarëve të Luginës nëpërmjet masave administrative. Prandaj, ftoj të gjithë bashkëkombësit tanë në këto treva, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre themelore për të votuar, edhe pse kjo e drejtë e tyre vazhdon të jetë nën sulm nga regjimi në Beograd”, thuhet në mesazhin e Presidentes.