Pritet krizë e brendshme energjetike në tre vjetët e ardhshëm

Kosova pritet të përballet me një krizë të brendshme energjetike gjatë tre vjetëve të ardhshëm. Vjetërsia e blloqeve të termocentraleve dhe remontet e planifikuara në dy njësitë e “Kosovës B” pritet të shkaktojnë ndërprerje të mëdha të energjisë. Mungesa e prodhimit të energjisë në vend pritet të plotësohet me import, e që do të ndikojë në rritjen e kostos së energjisë.

Ndërprerje të mëdha të energjisë që do të ndikonin në prodhim, investime dhe konsum ka parashikuar Qeveria i Kosovës në Kornizën Afatmesme të shpenzimeve për vitet 2024-2026.

Shkak për këtë, sipas dokumentit të miratuar në fundjavën që shkoi, thuhet se është pasiguria në furnizim nga prodhuesi vendor për shkak të kapaciteteve të vjetruara.

“Nëse furnizimi pasigurt i energjisë elektrike vendase has në vështirësi për shkak të kapaciteteve të vjetruara të prodhimit të energjisë, mund të ketë ndërprerje të rënda të energjisë, që do të ndikonin negativisht në prodhim dhe rrjedhimisht në investim dhe konsum, të cilat do të gjeneronin kosto fiskale shtesë, ashtu siç ndodhi në fund të vitit 2021 dhe fillim të vitit 2022”, thuhet në këtë dokument.

Në periudhën afatmesme ky rrezik, sipas ekzekutivit, konsiderohet të jetë më i ulët për shkak të uljes së çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare dhe rehabilitimit të kapaciteteve prodhuese të termocentralit “Kosova B”.

Por, sipas Adhurim Haxhimusës, ligjërues në Universitetin e Shkencave të Aplikueshme të Grizonit në Zvicër, remontet e parapara të blloqeve të termocentralit “Kosovës B” do të ndikojnë në furnizim të qëndrueshëm me energji. Ai ka thënë se nëse remonti fillon në korrik e zgjat deri në tetor, pritet që 10 orë brenda ditës të ketë mungesë të rrymës, e që duhet të plotësohet me import.

“Nëse i marrim çmimet e energjisë elektrike që janë në tregjet e energjisë elektrike, atëherë një çmim prej 120 euro për megavat llogaritet se kostoja do të sillet rreth 30 milionë euro për remontin e tyre. Kuptohet nëse kjo shtyhet për dimër, atëherë kostoja do të rritet për 30 deri në 40 për qind. Mirëpo, tërësia e kostos si pasojë e renovimit të këtyre blloqeve atëherë llogaritet të jetë 60 deri në 80 milionë euro”, ka thënë Haxhimusa.

Mungesa e energjisë do të shkaktojë humbje të mëdha te bizneset dhe familjet dhe ai nuk e ka përjashtuar edhe një rritje të sërishme të çmimit të energjisë.

“Në afatgjatë, nëse keni parasysh që KEK-u arrin të reduktojë kostot e prodhimit si pasojë e këtyre renovimeve, kjo mund pak a shumë të balancohet, por kjo vetëm nëse shtrihet në një periudhë më të gjatë kohore. Për një periudhë të shkurtër kohore pa dyshim që do të duhej të rriteshin çmimet, por unë nuk besoj që ZRRE-ja e merr një periudhë të shkurtër, por i merr këto shpenzime dhe i shpërndan në 10 apo 15 vjet aq sa pritet të kenë jetëgjatësi këto blloqe pas renovimit, atëherë nuk besoj që ka nevojë të ketë rritje të këtyre tarifave si pasojë e remontit të këtyre blloqeve”, ka shtuar Haxhimusa.

Në Kornizën afatmesme të shpenzimeve parashihen rehabilitimi i kapaciteteve ekzistuese të prodhimit të energjisë, modernizim i rrjetit, si dhe rritja e kapaciteteve të burimeve të ripërtritshme në prodhimin e energjisë./Koha.net