Partia për Veprim Demokratik ka mbajtur sot mbledhjen me kryesinë e saj në Bujanoc, ku sipas njoftimit zyrtar, është diskutuar për rëndësinë e regjistrimit të popullësisë i cili fillon me 1 Tetor dhe zgjedhjet e Këshillit Kombëtar të planifikuara për 13 Nëntor.
Në njoftimin zyrtar të PVD-së nuk përmenden emra si kandidat për kryetar nga kjo parti, duke aluduar se deri në fund të javës do të përpilohet lista për këto zgjedhje.
Por në prapaskenë, Spektri merr vesh se tashmë po tentohet për ta bindur Ragmi Mustafin, kryetarin e tanishëm, që të rikandidoj edhe për një mandat tjetër.
Në një intervistë për “Dritën” në fillim të muajit, Mustafi kishte deklaruar se nuk është kandidat për një mandat të dytë.
Por kjo kthesë mund të ndodh edhe për shkak të zhvillimeve të fundit në Kosovë, ku Ardita Sinani u emërua si këshilltare politike e Kryeministrit Albin Kurti. Pikërisht Sinani shihej si kandidate potenciale nga radhët e PVD-së, duke u nisur edhe nga marrëveshja e mëhershme, sipas së cilës kandidati në këto zgjedhje mund të ishte nga Komuna e Preshevës.
Rikandidimi i Mustafit shihet edhe si kundërpërgjigje ndaj kandidatëve të partive tjera, disa prej të cilëve tashmë kanë nominuar kanditatët e tyre, ku nga emrat mund të llogariten si kandidatë të “fort”./spektri