Reagon Erdogan derisa po numërohen votat!

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në rrjetet sociale ka reaguar pas përfundimit të votimit, duke thënë se është fakt që zgjedhjet e 14 majit janë zhvilluar në formën e një feste të madhe të demokracisë dhe duke shprehur pjekurinë demokratike të Turqisë.

Ai ka thënë se numërimi i votave është duke vazhduar, ndërsa përpjekja, sipas tij, që të shpallen rezultatet me ngut do të thotë “uzurpim i vullnetit kombëtar”.

“Jemi të kënaqur që dashuria e kombit tonë reflektohet në numërimin e vazhdueshëm të votave.

I kërkoj të gjithë miqve dhe kolegëve të mi të qëndrojnë në kutitë e votimit, sido që të jetë, deri në përfundimin zyrtar të rezultateve. Përgëzoj të gjithë qytetarët e mi që votuan në emër të demokracisë dhe morën pjesë në punën zgjedhore dhe shpreh mirënjohjen time për secilin prej tyre”, ka shkruar Erdogan në rrjetet sociale.