Napoli ka fituar derbin kampan përballë Salernitanës dhe falë këtij suksesi është ngjitur përkohësisht në vendin e dytë në renditjen e Serie A. Napolitanët dominojnë totalisht sfidën, por pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1.
Djemtë e Spallettit vulosin fitoren me fillimin e pjesës së dytë, ku brenda 8 minutave shënojnë 3 gola (2 me penallti). Edhe Amir Rrahmani ka lenë shenjën e tij në këtë sfidë, pasi ka shënuar golin që kaloi në avantazh skuadrën e Napolit, sapo filloi pjesa e dytë.
Frederic Veseli ka qenë gjithashtu protagonist për skuadrën e tij, por në aspektin negativ, pasi shkaktoi penalltinë, që u kthye në gol nga Mertens dhe u largua nga fusha me karton të kuq. Napoli vazhdon të besojë tek titulli kampion, ndërsa për Salernitanën mbijetesa bëhet gjithmonë e më e vështirë.
Një gol i Raspadorit në minutat e fundit të takimit, i ka mohuar Torinos fitoren e tretë radhazi në Serie A. Skuadra e Juric mbyll pjesën e parë në avantazh, falë një goli të shënuar nga Sanabria, por Sassuolo nuk i lë vendasit të festojnë, pasi barazon gjithçka në fund të takimit me Raspadorin.
Spezia vazhdon të fluturojë. Skuadra e Manajt ka marrë fitoren e tretë radhazi në Serie A, pasi ka mposhtur minimalisht 1-0 Sampdorian në një sfidë të luftuar.
Kanë munguar rastet në portat respektive në pjesën e parë, por mendon Verde që të zhbllokojë sfidën dhe ti japë Spezias tre pikë të çmuara. Sampdoria pëson humbjen e katërt radhazi në kampionat.
Itali – Serie A / Java e 23-të
Torino-Sassuolo 1-1
Sanabria 17’ / Raspadori 88’
Spezia-Sampdoria 1-0
Verde 69’
Napoli-Salernitana 4-1
Juan Jesus 17’, Rrahmani 47’, Mertens 49’ (pen), Insigne 53’ (pen) / Bonazzoli 33’