Ryanair: Përfundon epoka e biletave prej 10 eurosh

Kompania Ryanair ka thënë se nuk do të ofrojë më fluturime me çmime shumë të ulëta, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë.

Shefi ekzekutiv i kompanisë, Michael O’Leary, ka thënë se ka përfunduar epoka e biletave prej 10 eurosh.

Bileta mesatare do të rritet nga rreth 40 euro – sa ka qenë vitin e kaluar – në gati 50 euro në pesë vjetët e ardhshëm, ka thënë ai për transmetuesin britanik, BBC.

Megjithatë, ai ka thënë se beson që njerëzit do të vazhdojnë të udhëtojnë me aeroplanë, pavarësisht rritjes së çmimeve të jetesës.

“Nuk ka dyshim se ofertat tonë promocionale të biletave prej një eurosh, 0.99 eurosh apo 9.99 eurosh nuk do të ekzistojnë në vitet në vijim”, ka thënë mes tjerash ai.

Rritja e çmimeve të energjisë është duke ndikuar në rritje të kostos së jetesës.

Biletat për udhëtime me aeroplanë kanë qenë më të lira në dekadën e fundit dhe për rezultat është rritur numri i fluturimeve.

Ryanair, Easyjet, Vueling dhe Wizz Air kanë qenë ndër kompanitë kyçe që kanë ofruar bileta të tilla.

Fluturimet komerciale tani janë fajtore për 2.4 për qind të emetimeve globale, andaj ky sektor është duke u përballur me presion për të ulur ndikimin që ka në klimë.