Serbi: Këto janë kushtet e reja për regjistrimin elektronik të kompanisë

Nga 17 maji do të fillojë regjistrimi i detyrueshëm elektronik i themelimit të shoqërive tregtare, ka njoftuar Agjencia për Regjistrat e Bizneseve, transmeton Spektri, duke sqaruar se nuk mund të regjistrohet më kompani me aplikim në letër.

“Dorëzimi ekskluzivisht elektronik i aplikimit për korporatë vlen vetëm për shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, ortakëritë, shoqëritë aksionare dhe shoqëritë komandite”, thuhet në komunikatën e Agjencisë, duke u bërë thirrje biznesmenëve që të përgatiten në kohë dhe në mënyrë adekuate për përdorimin e këtij shërbimi elektronik.

Ndërsa për të regjistruar një kompani, duhet të keni:

• certifikatë elektronike e kualifikuar (nënshkrimi elektronik), lëshuar nga organi certifikues në Republikën e Serbisë,

• të instaluar lexues elektronik të kartave dhe të instaluar aplikacionin NEXU për nënshkrimin elektronik (nëse tashmë keni të instaluar aplikacionin NEXU, sigurohuni që të shkarkoni versionin e ri),

• Kartela e pagesës Visa, MasterCard ose Dina për pagesën e tarifës online.

Regjistrimi elektronik i themelimit të një kompanie bëhet përmes aplikacionit të Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve, ndërsa një udhëzues mund të gjendet në faqen e internetit të APR./Spektri