Serbia nuk e do Shqipërinë në grup

Në Serbi nuk duan që të përballen me Shqipërinë në fazën e grupeve të Euro 2024.

Presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Dragan Dzajiç deklaroi në një intervistë se shpreson t’i shmangë kuqezinjtë si kundërshtarë që ndodhen në vazon e dytë, ndërsa përfaqësuesja e tij në të katërtën.

“Cilido që e përcakton shorti do të jetë kundërshtar i vështirë. Nuk mund të them tani që vetëm të mos e kemi Gjermaninë, Spanjën apo Francën. Janë të vështirë, gjithashtu edhe Rumania, Zot mos lejo që të na bie Shqipëria. Të gjitha mund të na shkaktojnë probleme”.

Për herë të fundit këto dy skuadra janë përballur në kualifikueset e Euro 2016 me ndeshjen e zhvilluar në Beograd që u ndërpre për shkak të trazirave dhe iu akordua fitore në tavolinë Shqipërisë nga CAS i Lozanës.

Serbia e siguroi pjesëmarrjen në Kampionatin Europian pas 24 vitesh mungesë si e dyta në Grupin G. Shorti i Euro 2024 do të hidhet më 2 Dhjetor prej orës 18:00 dhe do të transmetohet në Tv Klan ashtu si 31 ndeshjet më të mira të turneut që do të zhvillohet nga 14 Qershori deri më 14 Korrik në Gjermani.