Shaip Kamberi: Bashkimi Evropian i padrejtë me Luginën

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi vlerëson se Bashkimi Evropian nuk po i bën presion Serbisë për Luginën e Preshevës, dhe me këtë rast po tregohet i padrejtë.

Sipas Kamberit, nëse nuk ka presion të vazhdueshëm, Serbia gjithmonë gjen mundësi të shmanget nga obligimet.

“Prej 2004 kur ne kemi dalë me deklarata politike nga Lugina e Preshevës, spektri politik i bashkuar, kërkesa jonë ka qenë që në raporte Kosovë – Serbi të definohet edhe çështja e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Tri marrëveshje i përmenda i kemi me Serbinë, nuk po respektohen. Faktori ndërkombëtar i cili ka qenë edhe kumbar, edhe përcjellës i atyre marrëveshjeve, nuk bën presion të mjaftueshëm në Beograd me i realizu ato. Beogradin e njohim se mund edhe të vijë në situatë të nënshkruajë një marrëveshje, mirëpo nëse nuk ka presion të vazhdueshëm, ata gjithmonë gjejnë argumente dhe mundësi të shmangies nga obligimi…është një qëndrim i padrejtë i BE-së”, deklaroi ai në Tëvë 1.

Ai theksoi se dialogu Kosovë – Serbi është shpresa e tyre e fundit që në kuadër të normalizimit të raporteve mes të dyja vendeve, të normalizohet edhe “sjellja e Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës”./Sinjali