Më 8 qershor 2024, Prishtina do të jetë dëshmitare e një ngjarjeje të jashtëzakonshme muzikore që do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve. Koncerti i titulluar “Shkurte Fejza – 50 Vjet Zëri i Kombit” do të shënojë kulmin e një karriere të ndritshme dhe të pasur të këngëtares së shquar, Shkurte Fejza.
Gjatë pesë dekadave, Shkurte Fejza ka qenë një zë i fuqishëm dhe një figurë frymëzuese për shqiptarët kudo që janë. Përmes këngëve të saj, ajo ka promovuar dashurinë për Kosovën, Shqipërinë dhe identitetin shqiptar. Mesazhet e saj të forta dhe plot pasion kanë arritur zemrat e shumë brezave, duke i bërë ata të ndjehen krenarë për kulturën dhe trashëgiminë e tyre.
Koncerti do të mbahet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë në orën 20:00, ndërsa dyert e sallës hapen në orën 19:00 për publikun. Hyrja është pa pagesë si një dhuratë e bilbilit të Kosovës për të gjithë adhuruesit e këngëve të saj dhe dashamirësve të muzikës së mirëfilltë shqipe.
Gjithashtu, ka zëra që qarkullojnë se artistë të tjerë të njohur do të jenë pjesë e këtij koncerti si surpriza të veçanta, duke e bërë këtë ngjarje edhe më të veçantë dhe të paharrueshme.
Me vetëm pak ditë të mbetura deri në datën e koncertit, pritshmëritë janë në kulmin e tyre. Adhuruesit e Shkurte Fejzës, si dhe të gjithë ata që vlerësojnë muzikën dhe kulturën shqiptare, janë të emocionuar për këtë ngjarje të madhe. Gala e madhe e 8 qershorit do të jetë një moment historik që do të mbetet në kujtesën e të gjithëve për shumë vite që do të vijnë.
Mos e humbisni këtë ngjarje unike që do të kremtojë një ikonë të vërtetë të muzikës shqiptare dhe një simbol të vlerave të kombit tonë. /Telegrafi/Spektri/