Shtëpi e Kulturës në Bujanoc me në krye Drejtoreshën Albena Mustafa ka organizuar një program argëtues për fillestarët e shkollave fillore, i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti.
Me ç’rast nxënësve iu dhurua nga një fletore dhe një laps duke i uruar fëmijëve mësim të mbarë.
Kështu ka njoftuar Shtëpia e Kulturës në Bujanoc në një postim në faqen e saj në rrjetet sociale.
Në njoftim u theksua se “Shtëpia e Kulturës, nën udhëheqjen e drejtoreshës Albena Mustafa, shprehet e përkushtuar të vazhdojë me organizime të tilla, duke krijuar hapësira të veçanta për fëmijët dhe duke i dhënë rëndësi ngjarjeve që lidhen me edukimin, kulturën dhe zhvillimin e tyre”.
Ky është njoftimi i plotë:
“Fillimi i vitit shkollor u festua me entuziazëm dhe gëzim
Sot, në ambientet e Shtëpisë së Kulturës, u organizua një program artistik i veçantë kushtuar fillimit të vitit të ri shkollor, me fokus të veçantë tek nxënësit e klasave të para. Atmosfera festive, e mbushur me buzëqeshje e emocione, i bëri fëmijët të ndihen të mirëpritur në rrugëtimin e tyre të parë drejt dijes.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin një numër i madh prindërish, të cilët me pjesëmarrjen e tyre e bënë edhe më të ngrohtë këtë ditë të rëndësishme për fëmijët. Një vlerë të veçantë aktivitetit i dha edhe prania e kryetarit të Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, i cili përshëndeti nxënësit dhe prindërit me urime për një vit të suksesshëm.
Shtëpia e Kulturës, nën udhëheqjen e drejtoreshës Albena Mustafa, shprehet e përkushtuar të vazhdojë me organizime të tilla, duke krijuar hapësira të veçanta për fëmijët dhe duke i dhënë rëndësi ngjarjeve që lidhen me edukimin, kulturën dhe zhvillimin e tyre.
Ky aktivitet ishte vetëm një shembull i përkushtimit tonë për të qenë pranë fëmijëve dhe komunitetit, duke e shndërruar fillimin e vitit shkollor në një ditë të paharrueshme për ta”.




