Spiropali: Kosova është prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë

Ministrja për Europë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, pas takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Kosova është prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë.

“Kosova është prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë. Kjo nuk është retorik solidariteti por orientim strategjik”- tha ajo.

Spiropali tha se vizita e saj në Kosovë pas vizitave që kanë bërë Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama javën e kaluar, është shenjë që Kosova për shtetin shqiptar “nuk është zgjedhje protokolli, por zgjedhje historie”.

Ajo deklaroi se “Shqipëria do të intensifikoj angazhimin politik për zgjerimin e njohjeve për Kosovën” dhe përparimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Në fjalën e saj, Spiropali tha ndër të tjera se heqja e masave nga Bashkimi Europian ndaj Kosovës ishte një domosdoshmëri.

Ndërsa sa i përket dialogut me Serbinë, ajo tha se ky proces “mbetet zgjedhje e qëndrueshme dhe më afatgjate për një rajon stabil” dhe se “njohja reciproke është zgjidhja e vetme”.

Pas takimit, në deklarim për media, Konjufca tha se me Spiropalin diskutuan për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve politike e ekonomike.

“Diskutuam sot për thellimin e më tej të marrëdhënieve tona ekonomike dhe politike, për koordinim të plotë të politikës sonë të jashtme”- tha Konjufca.

Ministri Konjufca ka falënderuar shtetin shqiptar për mbështetjen e ofruar ndaj Kosovës, duke theksuar se Shqipëria ka përfaqësuar interesin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Gjatë diskutimit, unë e falënderova si gjithnjë për mbështetjen e deritashme të Shqipërisë që ia ka ofruar Kosovës dhe shtet ndërtimit tonë por dhe përfaqësimit të interesit tonë në arenën ndërkombëtare dhe jam i bindur që koordinimi i dy shteteve tona do të mundësoj anëtarësimin tonë në organizata të tjera. E ardhmja jonë dhe e kaluara jonë do të jenë të lidhura përgjithmonë. Sa më i fortë koordinimi jonë, aq më e sigurt do të jetë rruga drejt Bashkimit Europian”- ka thënë Konjufca.