Qeveria gjithashtu ka bërë të ditur se çdo përpjekje për të cenuar sundimin e ligjit do të kishte pasojat e veta, ndërsa stabiliteti dhe funksionimi i institucioneve në veri është rezultat i respektimit të ligjit dhe rendit publik.
Qeveria u shpreh se pavarësisht vështirësive, ka mbetur e përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe përmbushjes së kritereve për anëtarësim.
Sipas Qeverisë, masat financiare më të mëdha nuk u vunë nga Bashkimi Evropian, por nga opozita parlamentare, e cila pengoi votimin e Planit të Rritjes së BE-së dhe marrëveshjeve me Bankën Botërore, me një vlerë totale mbi 1 miliard euro.
Përveç kësaj, Qeveria ka njoftuar edhe vendime të tjera: konfirmimin e zbatimit të vendimeve dhe protokolleve të CEFTA-s, themelimin e Komisionit Profesional për ngritjen e Memorialit të Familjes Jashari dhe Epopenë e UÇK-së në Bashkinë Hora e Arbëreshëve në Itali, si dhe ndarjen e 1.65 milionë eurove për grupin e parë të studentëve përfitues të Programit të Bursës së Mobilitetit.
“Ky memorial do të jetë donacion i Qeverisë për arbëreshët në Itali, ndërsa bursat synojnë të zvogëlojnë pabarazitë dhe të krijojnë mundësi për studentët nga zonat më të largëta”, thuhet në komunikatë.
Në përmbyllje, Qeveria uroi mirëseardhjen e bashkatdhetarëve në vendlindje dhe siguroi se institucionet, duke nisur nga policët kufitarë, do të jenë të gatshëm për mikpritje dhe shërbim për qytetarët.