Trump mohon se kërkoi të shfaqet në Home Alone 2

Donald Trump ka mohuar pretendimet e regjisorit të Home Alone 2: Lost in Neë York se ai ka kërkuar që të shfaqet në një skenë filmi tashmë të famshëm.

Ish-presidenti bëri një paraqitje të shkurtër në filmin e vitit 1992 në një skenë të filmuar në Hotel Plaza, të cilin ai e zotëronte në atë kohë.

Regjisori Chris Columbus tha se zoti Trump këmbënguli të shfaqej në film nëse ata e përdornin hotelin për të xhiruar.

Por Trump tha se producentët e filmit po e “kërkonin” që ai të shfaqej.

“Isha shumë i zënë dhe nuk doja ta bëja. Ata ishin shumë të mirë, por mbi të gjitha këmbëngulës”, shkroi ai në platformën e tij “Truth Social” të mërkurën.

“Unë u pajtova, dhe pjesa tjetër është histori! Ai fragment u ngrit si një raketë dhe filmi ishte një sukses i madh, dhe ende është, veçanërisht rreth Krishtlindjeve”, tha ai. “Njerëzit më thërrasin sa herë që transmetohet”.

“Nëse ata ndjeheshin të ngacmuar, ose nuk më donin, pse më futën dhe më mbajtën atje për më shumë se 30 vjet?” shtoi Trump. “Sepse kam qenë dhe jam akoma i shkëlqyer për filmin, prandaj!”

Komentet fillestare nga Columbus u bënë në një intervistë të vitit 2020 me Business Insider, megjithëse ato morën vëmendje të përtërirë në mediat sociale gjatë Krishtlindjeve.

Regjisori tha se Trump kërkoi një paraqitje të shkurtër përveç tarifës së zakonshme për të filmuar në hotel.

“Ne e paguam tarifën, por ai gjithashtu tha ‘e vetmja mënyrë që mund të përdorni Plaza është nëse unë jam në film’,” tha Columbus. “Kështu që ne ramë dakord ta fusim atë në film.”

Ai tha gjithashtu se njerëzit “u gëzuan” kur Trump u shfaq në film dhe se ai u bë një “moment” për audiencën.