U tha se Facebook dhe Instagram s’do të funksionojnë më në Evropë, Meta del me njoftim

Meta, kompania amë e Facebook-ut, ka thënë se nuk planifikon të tërheqë shërbimet nga Evropa.

Kjo mundësi është diskutuar pas mospajtimeve për transferim të të dhënave evropiane në Shtetet e Bashkuara.

Të dhënat janë kyçe për reklamim të bizneseve, të cilat gjenerojnë gati të gjitha miliarda dollarët e kompanisë.

“Ne absolutisht nuk kemi dëshirë dhe as plane për t’u tërhequr nga Evropa, mirëpo realiteti i thjeshtë është se Meta, dhe disa biznese tjera, organizata dhe shërbime, varen nga transferimi i të dhënave në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që të funksionojnë shërbimet globale”, ka thënë kompania përmes një deklarate.

Marrëveshja për të dhënat në internet, “Mburoja e Privatësisë” mes Evropës dhe SHBA-së, është shfuqizuar në korrik të vitit 2020 me një vendim të gjyqësorit të BE-së, që ka përballur kompanitë e mëdha teknologjike me pasiguri të madhe.

Meta ka thënë se u është drejtuar edhe rregullatorëve të tregjeve amerikane, duke thënë se baza që përdor për transferim të të dhënave po rrezikohet ligjërisht.

“Nëse nuk miratohet një kornizë transatlantike për transferim të të dhënave, ne nuk do të mund të ofrojmë një numër të madh të produkteve dhe shërbimeve tona, përfshirë Facebook dhe Instagram në Evropë”, ka thënë Meta, para rregullatorëve amerikanë.

Autoritetet evropiane dhe Qeveria amerikane janë duke shqyrtuar rrugë për të gjetur zgjidhje.

Platorma Facebook është përballur së fundi me rënien më të madhe të vlerës në treg, si pasojë e zvogëlimit të numrit të përdoruesve ditorë.