Valverde pas het-trikut ndaj Cityt: Një nga ndeshjet më të mira

Mesfushori i Real Madrid, Federico Valverde, e ka cilësuar paraqitjen ndaj Manchester City si një nga ndeshjet më të mira të karrierës së tij, pasi realizoi het-trik në fitoren 3-0 të madrilenëve në ndeshjen e parë të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve.

Mesfushori uruguaian hapi rezultatin në minutën e 20-të, shënoi golin e dytë shtatë minuta më vonë dhe kompletoi het-trikun në minutën e 42-të, duke i dhënë Realit një avantazh të madh në “Santiago Bernabeu”.

 

 

Pas ndeshjes, Valverde theksoi se suksesi erdhi si rezultat i përgatitjes së mirë të skuadrës dhe udhëzimeve të trajnerit Alvaro Arbeloa.

“Arbeloa më kërkon të sulmoj nga linja e dytë. Bashkëlojtarët më dhanë disa topa shumë të mirë. Ne kemi punuar shumë në stërvitje për t’i bërë presion kundërshtarëve që nga rivënia e portierit dhe e shfrytëzuam mirë këtë situatë”, ka thënë Valverde.

Fitorja 3-0 i jep Real Madridit një avantazh të rëndësishëm para ndeshjes së kthimit, ndërsa madrilenët janë shumë pranë sigurimit të një vendi në çerekfinale të Champions League.