Foshnja e cila u gjet e braktisur në një bodrum në zonën e Yzberishtit në Tiranë, ka ndërruar jetë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm në Shqipëri, Taulant Balla, i cili tha se kjo ngjarje e rëndë kërkon një reflektim dhe masa konkrete nga të gjithë.
“Sapo mora një lajm të trishtë nga Drejtori i Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” , i cili më njoftoi se foshnja e braktisur në zonën e Yzberishtit në Tiranë nuk ia doli dot 😭 edhe pse mjekët e spitalit bënë të gjitha përpjekjet. Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ka ndaluar nënën që e braktisi pa na dhënë mundësinë ne të gjithëve, agjencive shtetërore, shoqërisë civile ta gjenim në kohë dhe të mund ta shpëtonim. Kjo është një ngjarje e rëndë që kërkon një reflektim dhe masa konkrete nga të gjithë”, shkroi Balla.
Ndryshe, nëna e cila ka braktisur foshnjën është arrestuar dhe e njëjta do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.
Para grupit hetimor ajo ka thënë se veprimin e ka kryer pasi nuk e mbante dot dhe nuk kujdesej dot për djalin e saj të porsalindur. Mes të tjerash, ajo ka deklaruar se i vinte turp që të lindë fëmijën në maternitet dhe më pas ta linte aty dhe si zgjidhje ka parë mundësinë për ta braktisur në garazhin e pallatit në Yzberisht.