Gazeta zvicerane “Blick” të martën ka publikuar listën e 15 futbollistëve më të mirë në histori të Zvicrës.
Në listën prej 15 lojtarëve janë edhe dy shqiptarë.
Në vend të dytë është Xherdan Shaqiri, ndërsa Granit Xhaka renditet i katërti. Më i miri i Zvicrës, sipas “Blick”, është Stephane Chapuisat.
“Blick” ka pyetur nëse Xhaka meriton të jetë më lart në renditje pas triumfit në Bundesligë me Bayer Leverkusenin. Xhaka të dielën siguroi titullin e kampionit në Gjermani. Është kapiten i Zvicrës.
Xhaka doli kampion bote në vitin 2009 me grupmoshën U17 dhe nënkampion i Evropës për grupmoshën U21 në vitin 2011. Fitoi dy Kupa FA me Arsenalin. Ka fituar dy tituj dhe një Kupë të Zvicrës me Baselin. Nga tetori i vitit të kaluar, Xhaka është rekordmen për ndeshje të luajtura me Zvicrën. I ka 123 paraqitje dhe 14 gola.
Xherdan Shaqiri ishte nënkampion i Evropës me Shpresat e Zvicrës në vitin 2011. Ai është lojtari i vetëm i përfaqësueses së Zvicrës që ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve.
Championsin e fitoi me Bayernin dhe Liverpoolin. Me të dyja skuadrat e mëdha ka fituar edhe tituj kampioni dhe trofe të tjerë. Shaqiri ka marrë pjesë në katër kampionate botërore dhe dy kampionate evropiane. Ka shënuar në çdo kampionat të madh që nga viti 2014.
Shaqiri, i cili luan për Chicago Fire, ka luajtur 121 ndeshje për helvetikët. Ka shënuar 30 gola.
Chapuisat tani është 54-vjeçar. Kulmin e ka arritur si lojtar i Borussia Dortmundit, ndërsa ka luajtur edhe në skuadra të ndryshme zvicerane. Për Zvicrën, sulmuesi ka shënuar 21 gola në 103 ndeshje. Chapuisat ka fituar dy herë Bundesligën dhe një herë Championsin