Një nga futbollistët shqiptarë që ka ecur më shumë gjatë viteve të fundit është Granit Xhaka. Ai e nisi nga Bazeli në Zvicër, më pas në Bundesligën gjermane e tash sa vjet në Premier League angleze. Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ndihet i kënaqur me paraqitjet e mesfushorit këtë sezon me fanellën e ekipit nga Londra. Madje, Arteta ka shtuar se Xhaka po e shijon sezonin e tij më të mirë prej se iu bashkua Arsenalit në vitin 2016 nga Borusia Munshengladbahu. Megjithatë, trajneri spanjoll nuk ka dashur të komentojë rreth të ardhmes së Xhakës pas raportimeve të fundit se mesfushori shqiptar do të largohet në verë nga klubi për t’u transferuar në Bundesligë, te skuadra e Bajer Leverkusenit.
“Nuk do t’u përgjigjem raportimeve të caktuara, por jam jashtëzakonisht i kënaqur me Granitin. Mendoj se ai po kalon një sezon të jashtëzakonshëm, ndoshta më të mirin që e ka në klub dhe ne jemi vërtet të lumtur që e kemi”, ka thënë Arteta në konferencën e mbajtur të premten. Xhaka 30-vjeçar këtë sezon ka 7 gola e po aq asistime në 44 paraqitje për Arsenalin në të gjitha garat. Ai ka kontratë me ekipin londinez deri në vitin 2024 me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.