Zbulohen shifrat se sa miliona euro janë paguar për mbrojtjen e Thaçit, Veselit, Selimit, Krasniqit…





Me 3 gusht të vitit 2015, Kuvendi i Republikës së Kosovës votoi pro themelimit të Gjykatës Speciale, ku 82 deputetë votuan pro, 5 ishin kundër dhe një abstenoi.

E me t’u formuar Gjykata Speciale, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan edhe një ligj tjetër që ua garantonte të akuzuarve potencialë mbështetjen financiare.

Ishte 5 nëntori i vitit 2020, dita kur Gjykata Speciale ngriti aktakuzat e para. Cak ishin Hashim Thaçi, ish president i Kosovës, Kadri Veseli, ish kryetar i PDK-së, Rexhep Selimi, ish shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, dhe Jakup Krasniqi, ish kryeparlamentar, të cilët nga Specialja akuzohen edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe përkrahës të presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Më pas, Specialja ngriti aktakuzë edhe ndaj Salih Mustafës, Nasim Haradinajt dhe Hysni Ngucatit.

E të gjithë të akuzuarit e deritashëm, kanë zgjedhur që të paguajnë avokatët e tyre përmes ndihmës financiare që ua ofron Qeveria e Kosovës. Po ashtu, nga ky fond janë të mbuluara edhe shpenzimet financiare për vizitat familjare në Hagë.

E gazeta “Bota sot” ka dërguar pyetje në Ministrinë e Drejtësisë, e cila e menaxhon këtë fond, për të marr përgjigje se sa para janë shpenzuar deri më tani nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Përmes një përgjigje për “Bota sot”, Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se deri më tani, nga fondi shtetëror për të akuzuarit nga Dhomat e Specializuara janë shpenzuar 12 milionë e 562 mijë e 106 euro (12,562,106.89), në të cilat janë të përfshira pagesat për avokatët, dhe shpenzimet për vizitat familjare.

12 milionë e 428 mijë e 162 euro (12,428,162.01), janë shpenzuar për pagesat e avokatëve për mbrojtjen e Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Salih Mustafës, Nasim Haradinajt dhe Hysni Ngucatit.

Sipas përgjigjes së Ministrisë për “Bota sot”, 66 mijë e 440 euro (66,440.31), janë shpenzuar për shpenzimet për familjarët, ku përfshihen ushqimi dhe akomodimi.

Ndërsa 67 mijë e 504 euro (67,504.57), janë shpenzuar vetëm bileta aeroplani për familjarët, të cilët kanë udhëtuar për vizita familjare në Hagë, aty ku po mbahen në paraburgim të akuzuarit nga Gjykata Speciale./Bota sot

ImageDeri më tani, nga fondi shtetëror për të akuzuarit nga Specialja janë shpenzuar 12 milionë e 562 mijë e 106 euro.