Rusia duhet të përballet me “dënim të drejtë” për pushtimin e saj në Ukrainë, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York.
Në një video të regjistruar paraprakisht, Zelensky bëri thirrje për krijimin e një tribunali të posaçëm lufte dhe të detajuar për krimet e supozuara të luftës nga Rusia, transmeton Telegrafi.
Ai gjithashtu sugjeroi një “formulë” paqeje, duke përfshirë më shumë mbështetje ushtarake dhe për të ndëshkuar Rusinë në skenën botërore.
Fjalimi i tij mori ovacione nga shumë prej të pranishmëve në seancë.
Në fjalën e tij hyrëse, Zelensky akuzoi Rusinë se ka shkaktuar “turbulenca katastrofike” me “luftën e saj të paligjshme”.
Ai foli në të njëjtën ditë kur presidenti rus Vladimir Putin thirri 300 mijë rezervistë ushtarakë për detyrë, një veprim që shkaktoi protesta të rralla në rrugët e Rusisë.
Zelensky tha se masa tregoi se armiku i tij nuk ishte serioz për bisedimet e paqes.
Ai dënoi planet e shpallura së fundmi në zonat e pushtuara nga Rusia të vendit të tij për të mbajtur të ashtuquajturat referendume për bashkimin me Rusinë – një plan i denoncuar nga udhëheqësit perëndimorë në OKB të martën.