ZRRE-ja gjobit KEK-un me 3.2 milionë euro

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka gjobitur Korporatën Energjetike të Kosovës me 3.2 milionë euro, ndërsa me 440 mijë euro Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT). Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media, vendimet janë marrë të premten në seancën e katërt të Bordit të ZRRE-së sivjet.

Ndaj KEK-ut kanë qenë tri shkelje të përmendura, ndërsa kryesorja ajo për “tregtim me tregtarë të palicencuar”.

“Në këtë seancë, pas shqyrtimit përfundimtar të raporteve të monitorimit, Bordi ka vendosur gjobë ne vlerën prej 3.2 milion euro per Korporatën Energjetike të Kosovës dhe 439 mijë euro për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT)”, thuhet në njoftim.

Në këtë seancë, janë aprovuar kërkesat për vazhdimin e Licencës për furnizim me energji elektrike të ndërmarrjes “Future Energy Trading and Exchange Dynamics” dhe Licencës për furnizim me shumicë (tregtim) të energjisë elektrike të ndërmarrjes “Danske Commodities Kosova”, si dhe është miratuar kërkesa për dhënie të Licencës për furnizim me energji elektrike të ndërmarrjes “Sharrcem”.

KOHA ka dërguar pyetje në drejtim të KEK-ut për informata lidhur me qëndrimin e ndërmarrjes ndaj vendimit. Sapo të marrë përgjigje, artikulli do të përditësohet.

Në këtë seancë janë miratuar edhe 15 kërkesa të konsumatorëve për autorizim për vetëkonsum, nga të cilat 4 vijnë nga ndërmarrjet dhe 11 nga personat fizikë me 268kW./Koha.net