Arbërie Nagavci pritet të vizitojë Preshevën!





Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Republikën e Kosovës Arbërie Nagavci të hënën pritet të vizitoj Preshevën, raporton Spektri.

Ministra Nagavci do të jetë nikoqire e Organizatës “Drejtoria për Inkluzionin e personave me aftësi të kufizuara”, e cila pritet të filloj implementimin e projektit me të angazhuarit si edukatore joformal në shkollën fillore dhe në parashkollorë, projekt i financuar së fundi nga Qeveria e Republikës së Kosovës përmes konkursit të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Ministrja, gjatë vizitës në entin parashkollor “8 Marsi” pritet të bëjë edhe shpërndarjen e librit që i dedikohet fëmijëve parashkollor, i cili është financuar nga Qeveria e Kosovës në fund të vitit të kaluar.

Delegacioni i përbërë prej 6 personave, ministrja, këshilltarët e saj dhe këshilltarët për arsim të zv kryeministrit do të marrin pjesë edhe në promovimin e një libri që gjithashtu është financuar nga fondet e shpërndara nga KKSh.
Kjo vizitë ende është në pritje të lejes zyrtare nga Republika e Serbisë e cila është dërguar me kohë.

Gjatë vizitës në Preshevë, Nagavci do të shoqërohet edhe nga Ardita Sinani, këshilltarja e kryeministrit të Kosovës, si dhe dy zyrtarë të zyrës ndërlidhëse në Beograd.

Sipas informatave të siguruara nga Spektri, vizita e ministres në Preshevë pritet të zgjasë rreth dy orë dhe nuk pritet që të ketë takime me zyrtarë komunal ose politikan nga Lugina e Preshevës.

Kjo vizitë i dedikohet përcjelljes së aktiviteteve arsimore të financuara nga Kosova për Organizatat Joqeveritare./Spektri