Delegatët e Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, kanë zgjedhur sot për kryetar të ri të këtij subjekti, Lumir Abdixhikun.
Zgjedhjen kryetar i LDK-së, Abdixhikut ia kanë uruar edhe kolegët e tij nga partia.
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami kanë uruar Abdixhikun përmes postimeve në Facebook.
Postimet e plota:
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti:
Urime të gjithë anëtarëve të LDK-së për një Kuvend Zgjedhor demokratik. Urime Kryetarit Abdixhiku, shëndet e suksese. Do ta ketë mbështetjen e plotë të të gjithëve. Na presin sfida.
Falënderime z. Lutfi Haziri dhe z. Besian Mustafa për kontributin e tyre në këtë garë.
Kryetarin Isa Mustafa e falënderoj për kontributin e jashtëzakonshëm gjatë 11 viteve në krye të LDK-së.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj
Të gjithë anëtarëve qëndrestarë të LDK-së, ju shpreh përgëzimet më të sinqerta për punimet e zhvilluara në Kuvendin e sotëm demokratik e shembullor.
Shpreh falënderim për Kryetarin Mustafa dhe të gjithë udhëheqësit dhe kontribuesit e LDK-së, prej Presidentit historik dr. Ibrahim Rugovës e deri më sot. Vlerësim e mirënjohje shpreh për kryetarin e ri, Lumir Abdixhikun, i cili me votën demokratike është në krye të partisë që lëvizi historinë e re të Kosovës.
Së bashku, me përgjegjësinë më të lartë, të ballafaqohemi me sfidat që i kemi përpara, për Kosovën, për qytetarët dhe LDK-në. Na priftë e mbara!