Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese në Serbi (BIRN) ka publikuar një hulumtim ku thuhet se gjithnjë e më shumë institucione publike në Serbi po përdorin teknologji që mundësojnë monitorimin e njerëzve në kohë reale – nga audio-mbikëqyrja në autobusët urbanë deri te kamerat që ndjekin lëvizjen e automjeteve dhe softuerët për njohjen e fytyrës në shkolla e institucione shëndetësore.
Sipas BIRN-it, në kuadër të një hulumtimi shumëvjeçar janë mbledhur të dhëna mbi prokurimet publike të pajisjeve të mbikëqyrjes dhe ato janë paraqitur në një platformë interaktive, në një kohë kur po zgjerohet me shpejtësi rrjeti i kamerave, dronëve dhe sistemeve për njohjen e targave.
“Kamere që njohin fytyrën ndërsa kaloni nëpër portën e shkollës. Mikrofon në autobus që regjistron bisedat. Sisteme që mund të lidhin targën e automjetit me rrugëtimin e tij nëpër disa qytete”, thuhet në raportin e publikuar.
Gjatë pesë viteve të fundit, sipas të dhënave të tyre, qindra institucione publike në Serbi kanë blerë mbi 1.000 pajisje mbikëqyrëse – duke përfshirë kamera me funksione për njohjen e fytyrës, leximin e targave dhe analizën e sjelljes, kamera që analizojnë edhe zërin, si dhe dronë me zmadhim të lartë dhe regjistrim termik.
Megjithatë, BIRN thekson se numri real i pajisjeve është dukshëm më i madh, pasi Ministria e Punëve të Brendshme, Ushtria e Serbisë, Agjencia e Sigurisë Ushtarake (VBA), Agjencia e Inteligjencës Ushtarake (VOA) dhe Agjencia e Sigurisë-Informacionit (BIA) realizojnë prokurime sipas procedurave të veçanta.
Ekspertët e intervistuar nga BIRN vlerësojnë se këto teknologji kanë qëllim sigurie, por njëkohësisht paraqesin rrezik për abuzim, sidomos në aspektin e privatësisë së qytetarëve. Avokati Miloš Stojković ka theksuar se e drejta për privatësi është kategori kushtetuese dhe se përdorimi i teknologjisë shpesh zhvillohet më shpejt sesa rregullimi ligjor.
Sipas raportit, mbikëqyrja nuk prek vetëm punonjësit e institucioneve, por edhe qytetarët që i vizitojnë ato apo kalojnë pranë tyre, ndërsa vendosja e kamerave në hapësira publike në qytete ngre dilema për balancën mes sigurisë dhe privatësisë.
Të dhënat janë mbledhur nga dokumentacioni publik me ndihmën e mjetit të brendshëm “TenderSpy”, i zhvilluar për monitorimin sistematik të prokurimeve publike. Raporti i plotë mund të gjendet në faqen zyrtare të BIRN-it.