Mbi 300 mijë euro është vlera e pagave të dhjetë deputetëve serbë nga dhjetori i vitit 2022 deri më 30 prill të këtij viti. Ata paraqiten në seancë një herë në gjashtë muaj, megjithatë paguhen për punën që nuk e bëjnë. Pas nënshkrimit nuk qëndrojnë në sallën plenare, por në këtë formë ruajnë mandatin e deputetit.
KosovaPress ka siguruar të dhënat e pagesave për nëntë deputetët e Listës Serbe dhe të një deputeti të pavarur, të cilët po vazhdojnë të paguhen ani pse të njëjtit po bojkotojnë organin më të lartë legjislativ.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj konsideron se qeveria do të ishte dashur të diskutojë me deputetët e Listës Serbe.
“Normalisht që është në dëm të buxhetit të Kosovës, sepse ata nuk po participojnë në Kuvend dhe nuk po japin atë që duhet dhënë për qytetarët e Kosovës dhe po paguhen pa ardhur fare por vijnë një herë në gjashtë muaj sa për të mos humbur mandatin…Është e padrejtë për ata deputetë që vijnë vazhdimisht në seanca dhe komisione dhe ata nuk po marrin pjesë as në komisione e as në seanca parlamentare”, deklaron ai.
Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku thotë se bojkoti i deputetëve serbë është i papranueshëm.
“Është e papranueshme, normalisht që është e papranueshme. Sepse ata vijnë pak para se të bëjnë gjashtë muaj, vetëm nënshkruhen për të ju vazhduar mandati. Dhe kjo është e rregulluar, mirëpo është e papranueshme dhe është dashur të koordinohet me aleatët tanë dhe Listën Serbe mos me leju që të paguhet me taksat e qytetarëve tanë”, shprehet ajo.
Ligji për Festat Zyrtare, Ligji për Liritë Fetare e Ligji për Arsimin e Lartë nuk po arrijnë të kalojnë procedurat në Kuvendin e Kosovës për shkak të mungesës së deputetëve të Listës Serbe.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) pohon se po cenohen interesat e qytetarëve të komunitetit serb.
“Sipas kushtetutës dhe Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e deputetit, deputetët kanë për obligim që të marrin pjesë në seanca dhe në punimet e komisioneve parlamentare. Pra, është obligim kushtetues për të cilët ata duhet të kryejnë rolin përfaqësues për të cilin kanë marrë votën e qytetarëve, respektivisht të komunitetit prej nga ata vijnë.
Në këtë drejtim, si IKD konsiderojmë që ata janë duke e cenuar dhe duke mos i përfaqësuar interesat e qytetarëve të komunitetit prej nga vijnë. Kemi disa prej projektligjeve me interes vital për të cilat Kushtetuta e Kosovës ju ka garantuar atyre pjesëmarrjen më speciale në procesin e votimit, në anën tjetër këto të drejta nuk i shfrytëzojnë. Ligji për Liritë Fetare, Ligji për Arsimin e Lartë, Ligji për Festat Zyrtare janë tri ligje të cilat nuk po arrijnë të kalojnë për shkak të mungesës së tyre në procesin e vendimmarrjes”, deklaron Jakaj.