Dështon iniciativa për largim të kryetarëve në veri

Të dielën ka dështuar procesi i votimit për shkarkim ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës.

Serbët lokalë, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – ndonëse kanë marrë pjesë në peticionin për shkarkim të kryetarëve – më vonë e kanë bojkotuar procesin, sikurse ka bërë thirrje Lista Serbe.

Kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka thënë se ka vendosur të bojkotojë procesin për shkak të listave të vjetërsuara të votuesve dhe duke pretenduar se procedurat e planifikuara janë “të pamundura” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka bërë gjithçka që votimet të dështojnë”.

Si pasojë e dështimit të procesit të 21 prillit, kryetarët shqiptarë e kanë siguruar edhe një vit në krye të komunave, pasi një proces i njëjtë nuk do të mund të zhvillohet në 12 muajt e ardhshëm.

Udhëheqësit shtetërorë të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara kanë shprehur keqardhje për mosshfrytëzim të së drejtës së votës në veri.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka thënë se iniciativa ka dështuar pasi në këtë proces nuk kanë marrë pjesë 50 për qind plus 1 e votuesve.

Sipas Radoniqit, në total kanë votuar 253 persona prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.

Në Leposaviq kanë votuar 124 votues apo 0.91 për qind e shifrës totale, në Zubin Potok, 18 votues, apo 0.26 për qind, në Zveçan asnjë votues, ndërsa në Mitrovicë të Veriut, 111 votues, apo 0.59 për qind e votuesve.

Të gjitha qendrat e votimit – 23 – janë hapur në orën 07:00 dhe janë mbyllur në orën 19:00.

Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), që bën vëzhgimin e proceseve zgjedhore, ka thënë se “procesi i votimit gjatë gjithë ditës është karakterizuar me mungesë të theksuar të interesimit nga qytetarët”.

Sipas tij, gjatë ditës nuk është raportuar për asnjë incident.

Reagimet pas votimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka konsideruar si fatkeqësi bojkotimin e procesit të votimit nga serbët lokalë dhe sipas saj, kështu “Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër.

“Edhe njëherë, [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiqi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”.

Ajo e ka falënderuar KQZ-në dhe institucionet tjera për organizim të zgjedhjeve, dhe ka thënë se me këtë proces, Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian, andaj ka bërë thirrje që blloku evropian t’i heqë të gjitha masat e vëna ndaj Kosovës, në maj të vitit të kaluar

Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës pas votimeve në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rezultatet e votimit për shkarkim ose jo të kryetarëve shqiptarë tregojnë se nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë.

Sipas tij, “20% të votave të mbledhura nga Lista Serbe për peticionin, për të iniciuar këtë proces, nuk rezultuan më shumë se aq. Serbia e ka parë që mund t’i mbledhë 20% por jo edhe 50%”.

Kurti: Nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë në veri

Ambasada amerikane në Kosovë, ka shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe dhe figurave tjera politike serbe në Kosovë, që nuk kanë marrë pjesë në procesin e votimit.

Sipas Ambasadës, përmes pjesëmarrjes në votim, serbët kanë mundur të “avancojnë drejt demokracisë efektive dhe përfaqësuese”.

“Pjesëmarrja demokratike ndihmon që udhëheqësit të jenë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është e drejtë kyçe në shoqëritë demokratike”.

SHBA-ja shpreh keqardhje për mosshfrytëzim të së drejtës së votës në veri

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i ka përgëzuar institucionet e Kosovës për mbajtje të zgjedhjeve, ndërsa Listën Serbe e ka konsideruar “subjekt të mishëruar me metoda jodemokratike”, që, sipas tij, “nuk e gjen assesi veten te një proces kaq demokratik”.

Lista Serbe ka thënë pas mbylljes së vendvotimeve se të dielën është treguar “shkallë e lartë e unitetit të popullit serb”.

Në një komunikatë për media, kjo parti ka pretenduar se më 21 prill është dëshmuar se nuk janë Lista Serbe dhe Serbia që po frikësojnë serbët, por kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe siç, ka thënë, njësitë e tij ilegale parapolicore, që sipas Listës Serbe kanë rezultuar me rrugë të zbrazëta në veri.

Votimet e 21 prillit janë organizuar sipas një udhëzimi administrativ të nxjerrë prej Qeverisë së Kosovës, muaj më parë, që parasheh largimin e një kryetari prej pozitës që mban.

Fillimisht është paraparë organizimi i një peticioni, në të cilin janë mbledhur 20 për qind e nënshkrimeve të nevojshme për të organizuar më pas votimin.

Udhëzimi administrativ është nxjerrë pasi faktori ndërkombëtar ka kërkuar largim të kryetarëve shqiptarë nga pozitat e tyre, duke konsideruar se ndonëse procesi i prillit të vitit të kaluar – kur ata i kanë fituar zgjedhjet – është mbajtur në përputhje me ligjin, megjithatë, ai nuk ka qenë legjitim për shkak të daljes së ulët.

Zgjedhjet e prillit të vitit 2023 janë organizuar pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Edhe në ato zgjedhje, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e ka bojkotuar procesin zgjedhor dhe u ka bërë thirrje serbëve lokalë të veprojnë njëjtë.

Blloku evropian ka shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë në votimet 21 prillit, ani pse paraprakisht është deklaruar pozitivisht për to.

Zgjedhjet e prillit të 2023-ës i kanë fituar dy kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje – Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut dhe Lulzim Hetemi në Leposaviq – dhe dy të Partisë Demokratike të Kosovës – Izmir Zeqiri në Zubin Potok dhe Ilir Peci në Zveçan.

Hyrja e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale është përcjellë me tensione të mëdha në maj të vitit të kaluar.

Atëherë, serbët lokalë kanë protestuar kundër kryetarëve të rinj para ndërtesave komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, dhe për pasojë situata është përshkallëzuar në dhunë.

Disa pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë plagosur rëndë.

Të plagosur ka pasur edhe nga ana e protestuesve.

BE-ja pati vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës, me arsyetimin se nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, në maj të vitit 2023.

Autoritetet e Kosovës kërkojnë vazhdimisht heqjen e atyre masave, duke i konsideruar të padrejta.