Dritan Abazoviq propozohet për kryeministër të ri të Malit të Zi

Deputetët malazez kanë shkarkuar mbrëmë kryeministrin Zdravko Krivokapiq pas 14 muajve qëndrimi në krye të Qeverisë.

Pas përfundimit të seancës parlamentare, kreu i grupit të deputetëve “E Bardha në të Zezë”, Millosh Konatar, tha se personalisht beson se kryeministër i ri duhet të jetë lideri i lëvizjes URA, Dritran Abazoviq. Ai mbrëmë në Kuvend tha se bisedimet do të nisin sot.

“Unë besoj se do të kemi një qeveri të re. Shumë shpejt do të kemi një qeveri të re, e cila do të luftojë korrupsionin. Nëse më pyetni mua personalisht, normalisht do të dëshiroja që kryeministër të jetë Dritan Abazoviq”, tha Konatar, raporton rtcg.

dritan abazovic

Kujtojmë se për shkarkimin e 63-vjeçarit, Krivokapiq kanë votuar 43 deputetë ndërsa 11 votuan kundër. Gjithsej votuan 54 deputetë.

Theksojmë se edhe disa parti të minoriteteve kanë kërkuar që mandatar i radhës të jetë politikani shqiptar, Abazoviq, i cili deri në momentin votimit të mosbesimit të Qeverisë ishte zëvendëskryeministër.

Ndryshe, partia e presidentit Milo Gjukanoviq, DPS, ka njoftuar se do të mbështes një qeveri të pakicës, por që në të nuk do të jenë partitë proserbe.