Gjigantët evropianë shfaqin të metat para Botërorit





Të gjitha rrugët tani dërgojnë në Katar. Me mbylljen e edicionit të tretë të Ligës së Kombeve, top përfaqësueset e Evropës kanë zhvilluar ndeshjet e fundit zyrtare përpara fillimit të Kampionatit Botëror. Edhe pse kanë mbetur edhe disa javë nga fillimi i Botërorit, fuqitë evropiane treguan formë të dobët në ndeshjet e këtij muaji. Kombet evropiane kanë fituar çdo Kupë Bote që kur Brazili ngriti të fundit nga pesë titujt e tij në Japoni dhe në Korenë e Jugut në vitin 2002.

Evropa ka furnizuar 13 nga 16 gjysmëfinalistët në katër Kupat e Botës së kaluar, me Italinë, Spanjën, Gjermaninë dhe Francën që kanë dalë në krye. Por kampionia në fuqi e Evropës, Italia, nuk ka arritur as të kualifikohet për në Katar, ndërkohë që ka dyshime për shanset e Anglisë, Francës, Gjermanisë dhe Spanjës. Pasigurinë e shton edhe fakti se Botëror për herë të parë po mbahet në mes të sezonit për përfaqësueset evropiane, pa kohë për kampe stërvitore dhe miqësore para turneut. Midis tani dhe pushimit për Kupën e Botës më 13 nëntor – një javë përpara fillimit të turneut – lojtarët e skuadrave kryesore të Evropës mund të luajnë deri në 13 herë për klubet e tyre.

“Të gjithë kanë të njëjtën sfidë. Është një periudhë e çuditshme”, pranoi Gareth Southgate i Anglisë.

Franca

Kampionia në fuqi e botës, Franca, ka fituar vetëm një nga gjashtë ndeshjet e saj të fundit, rekordi i saj më i keq në përgatitjen për Kupën e Botës që nga viti 1958. Është e vështirë të nxirren përfundime nga dy ndeshjet e saj të fundit në Ligën e Kombeve, pasi kishte 14 lojtarë jashtë të lënduar. Në fakt, te Franca po shpresojnë që për Botëror të jenë të gatshëm mesfushorët Paul Pogba e N’Golo Kante, të cilët janë të lënduar. Përzgjedhësi Didier Deschamps nuk ka aspak besim në mesfushorët e rinj, që u përpoqën të mbulonin mungesën e Pogbas dhe Kantes. Eduardo Camavinga ishte katastrofal në humbjen ndaj Danimarkës 2:0 dhe u zëvendësua pas 45 minutave. Adrien Rabiot, Youssouf Fofana dhe Aurelien Tchouameni janë më të vendosur, por ende nuk e kanë bindur plotësisht Deschampsin.

Anglia

Nëse forma e Francës është shqetësuese, ajo e Anglisë është edhe më e keqe. Anglia ka gjashtë ndeshje pa fitore dhe kjo është ecuria me e gjatë e ekipit pa fitore që nga viti 1993. Asnjëherë Anglia nuk ka hyrë në një turne të madh me një seri të tillë. Mediat dhe fansat po e kritikojnë përzgjedhësin Gareth Southgate për besimin e tij ndaj disa lojtarëve, veçanërisht Harry Maguiret. Më e rëndësishmja, Anglia ka një numër lojtarësh që ose nuk luajnë mjaftueshëm për klubet e tyre, ose thjesht janë jashtë formës – dhe Southgate ka sugjeruar se do të vazhdojë besimin ndaj tyre edhe në Katar.

Belgjika

Belgjika e përfundoi kampanjën e saj në Ligën e Kombeve duke pasur parasysh vetëm një gjë. Dhe kjo është shumë shqetësuese. Me vetëm një lojë përgatitore të mbetur para Kupës së Botës – një miqësore kundër Egjiptit më 18 nëntor – Belgjika ka nevojë të dëshpëruar për Romelu Lukakun. Në mungesë të sulmuesit të dëmtuar, Michy Batshuayi thjesht nuk mundi të imponohej si një zëvendësues i besueshëm. Batshuayi ishte i paefektshëm në humbjen 1:0 ndaj Holandës, një ndeshje të cilën Belgjika duhej ta fitonte me tre gola ose më shumë për të kaluar në finalen e Ligës së Kombeve. Lukaku pritet të rikthehet së shpejti pas një dëmtimi në kofshë, ndërsa shanset e Belgjikës në Katar mund të varen nga ai.

Gjermania

Ndeshjet e Gjermanisë kundër Anglisë dhe Hungarisë dhanë më shumë pyetje sesa përgjigje dy muaj para Kupës së Botës, të cilën Gjermania e fitoi për herë të fundit në vitin 2014. Pyetja më e madhe është: sa e mirë është skuadra, në të vërtetë? Përgjigjja: Askush nuk e di. Skuadra e Hansi Flick-ut mundi një Itali të dobësuar 5:2 në ndeshjen e mëparshme në qershor, por nuk arriti të bënte asgjë kundër Hungarisë, e cila e mposhti 1:0 në shtëpi. Gjermania më pas barazoi 3:3 ndaj Anglisë, ndonëse ishte në epërsi 2:0. Kai Havertz dhe Jamal Musiala ishin gjëja e vetme pozitive që u morën nga dy ndeshjet e këtij muaji. Fitorja ndaj Italisë ishte fitorja e vetme e Gjermanisë në shtatë ndeshje.

Spanja

Spanja, kampionia e vitit 2010, është një nga fuqitë e pakta evropiane që shkon drejt Kupës së Botës me një ritëm të lartë pasi arriti përsëri në fazën finale të Ligës së Kombeve. Skuadra e Luis Enriques u rikuperua nga humbja ndaj Zvicrës që i dha fund një serie prej 22 ndeshjesh pa humbje në shtëpi për ta mposhtur 1:0 Portugalinë, potencialisht një prej rivalëve kryesorë të saj në Katar. Spanja nuk kishte fituar në Portugali për gati dy dekada. Gjithashtu në nivel të lartë do të jetë sulmuesi 20-vjeçar i Athletic Bilbaos, Nico Williams, i cili asistoi në golin e fitores të Alvaro Moratas kundër Portugalisë për të siguruar vendin e tij në skuadrën e Kupës së Botës. Ndërkohë, Portugalia do të duhet të jetojë me zhgënjimin e eliminimit të ditës së fundit në shtëpi dhe me dyshimet rreth formës së Cristiano Ronaldos. Ronaldo, i cili ka të ngjarë të luajë në Botërorin e tij të fundit, pati disa shanse shënimi për t’ia siguruar Portugalisë barazimin që i nevojitej në Ligën e Kombeve të martën, por nuk arriti t’i shfrytëzojë ato.

Të tjerët

Evropa mund të ketë nevojë për një kampion për herë të parë nëse kontinenti dëshiron të fitojë titullin e pestë radhazi të Kupës së Botës duke ia mohuar një sukses të tillë Brazilit dhe Argjentinës që janë në formë. Kroacia, finalistja e vitit 2018, sërish duket mirë nën drejtimin e mesfushorit 37-vjeçar Luka Modriq. Kroacia kryesoi grupin e saj të Ligës së Kombeve për shkak të fitoreve brenda dhe jashtë ndaj Danimarkës, e cila është ndër skuadrat më të qëndrueshme të Evropës dhe ka rikthyer në ekip lojtarin Christian Eriksen. Holanda, që ka luajtur në tri finale të Botërorit dhe e udhëhequr nga trajneri dinak Louis van Gaal, mbajti portën e paprekur në fitoret ndaj Polonisë dhe Belgjikës. Brazili, i cili e rrëzoi Belgjikën nga kryesimi i renditjes në fillim të këtij viti, ka një grup të Kupës së Botës që përfshin dy skuadra evropiane në formë, Zvicrën dhe Serbinë. Përballja e Serbisë me Zvicrën më 2 dhjetor do të jetë një revansh intensiv i lojës së ngarkuar politikisht në Kupën e Botës të vitit 2018.