Ish-kryenegociatori serb: Marrëveshja Kosovë-Serbi të arrihet sipas modelit të dy Gjermanive





Borko Stefanoviq, ish-kryenegociator serb në dialogun Kosovë-Serbi, si dhe kryetar i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin e Serbisë në “Lajmet e fundit” foli për situatën në të cilën ndodhet Kosova e Serbia ditëve të fundit.

“Pas një kohe të gjatë të qenit udhëheqës i grupit negociator të palës serbe në negociatat mes Kosovës e Serbisë, nuk kam menduar se do të shkojë aq gjatë ky proces, ndonëse është ndërmjetësuar nga BE, shpresonim t’i ndihmonim njerëzve në terren”, deklaroi ish- kryenegociatori serb në dialogun Kosovë-Serbi, Borko Stefanoviq në RTK.

Tutje, ai shtoi se kemi një situatë problematike, të mbushur me tensione e probleme, që nuk mund të zgjidhim që të gjitha, prandaj, shtoi ai, duhet të punohet shumë për të shmangur ndonjë konfrontim të mundshëm në Kosovë.

“Dialogu i nisur më shumë se një dekadë, tani e shoh në një fazë që fatkeqësisht Asociacioni ende nuk është zbatuar, edhe pse është pranuar nga të dyja palët që më 2013-tën, pastaj problemi tjetër është që Qeveria Kurti vazhdon me presionin ndaj komuniteti serb në Kosovë, si dhe po përpiqet ta shkelë çdo marrëveshje të arritur deri më tani në dialogun teknik”, deklaroi Stefanoviq

Më tej ai shtoi se kryeministri Kurti marrëveshjen për targat e ka mohuar në mënyrë të njëanshme, duke mohuar tabelat KS.

“Tërheqja e komunitetit serb nga institucionet e Kosovës ka qenë i natyrshëm e që tani kemi një vakum sigurie me kriza potenciale të reja që mund të lindin”, deklaroi Stefanoviq.

Ai pohoi se për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës duhet që të krijohet Asociacioni, duke shtuar se që nga Uashingtoni e Brukseli i vijnë mesazhe Kurtit që ta shtyn vendimin për targat, si dhe ta themelojë Asociacionin me komuna me shumicë serbe.

“Si popuj fqinj do të donim të negocionim të zgjidhim mosmarrëveshjet midis nesh sa më shpejtë për çdo çështje të hapur, sa ma herët që është e mundur, sepse duam të kemi siguri prosperitet të serbëve në Kosovë, në paqe e stabilitet, kjo do të ishte e shëndosh e këthjelluese”, deklaroi Stefanoviq në “Lajmet e fundit”, në RTK.

“Targat nuk do të duhej të ishin diçka që dikush do të mund të humbte jetën, Serbia do të vazhdojë me politiken e simbolizmit”, vuri në dukje Stefanoviq.

Më tej ai theksoi se Asociacioni për Kosovën nuk është hap i lehtë që të zbatohet, po duhet, sepse Borell sot e dje Escobar kanë ftuar që ta zbatojnë Asociacionin.

E lidhur me planin franko-gjerman, si draft-dokument për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi, Stefanoviq tha se askush nuk e ka parë atë draft, ndaj nuk parapëlqeu të bënte komente në bazë të lajmeve të publikuara nëpër portale të ndryshme, por ai tha se duhet përshpejtuar në zgjidhjen e çështjeve mes të dyja vendeve. E për këtë Stefanoviq propozoi marrëveshjen sipas formulës së dy Gjermanive, që do të mund të zbatoheshin disa elemente nga ajo marrëveshje.

Sipas Stefanoviq, Serbia e Kosova duhet të vazhdojnë dialogun sa ma shpejtë që është e mundur, që nesër bile, derisa shtoi se Kurti rrezikon stabilitetin edhe të kabinetit të vet, nëse vepron kështu ende me këtë mënyrë. /RTK