“Kam vrarë 500 rusë”: Snajperi i Luftës së Dytë Botërore i njohur si Vdekja e Bardhë

Tom Fordy / The Telegraph

Më 21 dhjetor 1939, Simo Häyhä – një snajper finlandez prej kohësh i mitizuar si “Vdekja e Bardhë” – theu rekordin e vet për numrin e ushtarëve sovjetikë të vrarë në një ditë të vetme: 25 të vdekur. Teksa Finlanda po luftonte kundër Ushtrisë së Kuqe të Stalinit në një konflikt 104-ditor të njohur si Lufta e Dimrit, shtypi e cilësoi këtë numër rekord vrasjesh si “dhurata e Krishtlindjes së Häyhäs për popullin finlandez”.

Në atë moment, Finlanda kishte më pak se një muaj që kishte hyrë në Luftën e Dimrit, e cila u zhvillua nga nëntori i vitit 1939 deri në marsin e vitit 1940. Häyhä – një fermer i shkurtër, modest dhe i thjeshtë – shërbeu vetëm 98 ditë përpara se të plagosej rëndë. Por, në atë kohë ai arriti shifrën që e shndërroi atë në snajperin më vdekjeprurës në histori. Numri i viktimave të tij – sipas legjendës së Vdekjes së Bardhë – ishte 542.

I mbështjellë me kamuflazh të bardhë, Häyhä fshihej dhe priste me durim në terren të mbuluar nga bora, duke përballuar temperatura nga minus 20 deri në minus 40 gradë celsius, dhe përdorte një pushkë të thjeshtë për të eliminuar agresorët sovjetikë – një nga një.

Häyhä ka frymëzuar filmin jashtëzakonisht të dhunshëm finlandez. Sisu (2022), për një veteran të Luftës së Dimrit që nuk mund të vritej dhe i cili asgjësoi një repart SS për shkak se ata ia kishin vjedhur arin. Filmi është plotësisht fiktiv, por skenaristi dhe regjisori i tij, Jalmari Helander, u frymëzua nga tregimet për bëmat e Häyhäs; me siguri, ka nuanca të Vdekjes së Bardhë tek antiheroi i tij i heshtur dhe i ashpër, Aatami Korpi (Jorma Tommila).Një “skuadër vdekjeje në një njeri”, që kishte humbur familjen e tij në luftë, thuhet se vrau 300 sovjetikë i vetëm. “Një bastard i keq me të cilin nuk do doje të kishe punë”, thotë një nazist. Personazhi rikthehet në kinema këtë javë për një raund tjetër (madje edhe më të mirë) të dhunës ekstreme në Sisu: Rruga drejt hakmarrjes.

Ka pasur disa debate nëse numri i vrasjeve të Häyhäs ishte i vërtetë. Sigurisht, ai u bë subjekt i propagandës finlandeze gjatë Luftës së Dimrit dhe arriti status legjendar në vitet që pasuan.

Por, në vitin 2017, u zbulua memoari i tij sekret, Kujtime lufte, që dukej se konfirmonte numrin e tij të vrasjeve – ose siç e quante ai, “listën e mëkateve”. “Gjatë gjithë kohës sime në luftë, vrava rreth 500 rusë”, shkroi ai.

Kujtimet ishin shkruar në vitin 1940, pasi një plumb eksploziv e kishte goditur Häyhän në fytyrë dhe ia kishte thyer nofullën – një plagë që e shëmtoi dhe kërkoi 26 ndërhyrje korrigjuese kirurgjikale. Madje, edhe biografi i tij, Tapio Saarelainen, i cili e njihte dhe e intervistoi heroin e luftës, nuk kishte asnjë ide se ekzistonte ky memoar 20-faqësh. Häyhä, i cili vdiq në vitin 2002 në moshën 96-vjeçare, mbeti modest. Duke shmangur vëmendjen dhe lavdërimet, dukej i habitur nga lavdia dhe fama.

Në moshën 17-vjeçare, djali i një fermeri iu bashkua Gardës Civile, një milicie vullnetare, dhe fitoi çmime në shumë gara qitjeje. Çmimet e tij ishin modeste – shpesh vetëm një lugë (disa prej të cilave janë ekspozuar në Muzeun Simo Häyhä në vendlindjen e tij, Rautjarvi) – por, ai më pas ia atribuoi Gardës Civile meritën për mbrojtjen kundër Ushtrisë së Kuqe të Stalinit. “Garda stërvitej shumë dhe burrat e njihnin armën e tyre”, shpjegoi Häyhä.