The Telegraph
Makineria e fuqishme e propagandës ruse, që vloi javët e fundit, duket se ka pësuar një goditje të rëndë. Putini tani po gëlltit “idiotët e dobishëm”, njerëzi tek të cilët ishte mbështetur për të projektuar një realitet alternativ përpara botës: jo atë të një shteti të përjashtuar, të zhytur në krime lufte, por të një shpëtimtari që na mbron prej nazistëve imagjinarë dhe ekstremistëve fantazmë.
E vërteta, sigurisht, është se përkrahësit e tij vijnë nga skajet politike, nga e djathta ekstreme dhe e majta ekstreme. Mjafton të dëgjosh kampionin e vetëshpallur të popullit, George Galloway, duke lavdëruar Kremlinin, ose retorikën e paqëndrueshme të komentuesve të skajshëm, si aktori pensionist Steven Seagal që lavdëron udhëheqjen e Putinit, për të kuptuar se sa larg shtrihet ky ekosistem i dezinformimit.
Por, kthesa e fundit e Kremlinit kundër disa prej mbështetësve të tij më besnikë është me të vërtetë domethënëse. Këto spastrime gjithnjë e më staliniste sugjerojnë se po shkërmoqet makineria e propagandës e ndërtuar për të fshehur krimet e luftës të Putinit dhe për të justifikuar një luftë të paligjshme dhe shkatërrimtare për qytetarët rusë.
Rritja e jashtëzakonshme dhe rënia spektakolare e Roman Alekhinit – një “Z-bloger” i njohur pro-luftës, i shpallur tani si agjent i huaj nga regjimi i Putinit – ka tronditur komunitetin e internetit që për gati katër vjet kishte besuar se kishte leje të heshtur për të kritikuar mënyrën se si po zhvillohej lufta. Kjo fantazi tani ka marrë fund.Teksa mijëra aktivistë kundër luftës ranë në burg, kultura paralele e blogerëve ushtarakë ultranacionalistë u përkrah, u financua dhe pati qasje të privilegjuar. Ata shërbyen si një valvul e miratuar për të shfryrë zemërimin për luftën. Por, tani as ata nuk janë më të sigurt.
Sergey Markov, dikur zë i besueshëm pro-Kremlinit, gjithashtu është shpallur agjent i huaj – një etiketë me tone të errëta nga koha e Stalinit, dikur e rezervuar për armiq të vërtetë të shtetit. Sot ajo përdoret lirshëm për të ndëshkuar këdo që del jashtë vijës gjithnjë e më të ngushtë të partisë.
“Kur kjo makineri shtypjeje nis, nuk mund të ndalet”, paralajmëron Vladimir Kara-Murza, figura opozitare britaniko-ruse e dënuar me 25 vjet, në një kamp modern burgimi, për kritikën ndaj luftës – një dënim të cilin e mbijetoi vetëm falë një shkëmbimi mes të burgosurve në vitin 2024. Siç i tha ai The Telegraph-it: “Kthehuni prapa te Bashkimi Sovjetik nën Stalinin. Fillimisht u sulmuan armiqtë politikë, pastaj sistemi filloi të gëlltiste vetë njerëzit e vet”.
Edhe pse Kremlini krenohet për përfitime përreth Pokrovskit dhe Zaporizhias, këto përparime të supozuara kanë ardhur me një kosto të madhe në jetën njerëzore ruse – humbje të cilat po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u fshehur. Ndërkohë, qytetarët e zakonshëm rusë përballen me çmime të larta të karburanteve dhe të ushqimeve, ndërsa klima e brendshme po ndryshon.