Kosovës i duhen së paku dy vjet për anëtarësim në KiE

Më 24 prill të këtij viti, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, mori vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

Komiteti që përfaqëson 46 shtetet anëtare të KE-së, mori këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave.

Lidhur me këtë vendim pati 33 vota për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.

Por, deri te anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të duhen së paku edhe dy vjet.

Kështu së paku ka thënë një zëdhënës i PACE për Klankosova.tv.

Francesc Ferrer tha se Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i PACE do të emërojë një raportues për Kosovën, i cili brenda dy vjetëve duhet të paraqesë një raport në komitet për debat dhe miratim.

“Komiteti (për Çështje Politike dhe Demokraci, shën.red.) duhet të caktojë një raportues për këtë çështje në një takim të ardhshëm (i ardhshmi do të zhvillohet më 19-23 qershor në Strasburg). Më pas, raportuesi ka dy vjet nga emërimi i saj/tij për të paraqitur një raport në komitet për debat dhe adoptim”, tha Ferrer për Klankosova.tv.

Ai tha se ishte Byroja e Asamblesë Parlamentare të KiE e cila më 28 prill ia referoi kërkesën e Kosovës për anëtarësim Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci.

Nga ana tjetër, ai tha se edhe Byroja do të caktojë dy avokatë për të përgatitur një raport për Kosovën për të parë përputhshmërinë e sistemit ligjor të vendit me standardet e KiE-së.

“Nga ana tjetër, edhe Byroja do të caktojë, në mbledhjen e saj të radhës më 25 maj në Riga, dy avokatë të shquar të cilët do të përgatisin një raport mbi përputhshmërinë e sistemit ligjor të aplikantit, në këtë rast Kosovës, me standardet e Këshillit të Evropës, në përputhje me praktikën e vendosur të PACE-s, i cili do të merret parasysh nga raportuesi i Komisionit për Çështjet Politike dhe Demokracinë”, deklaroi zëdhënësi i PACE, Francesc Ferrer.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022. /Klankosova.tv