“Nëse njihni dikë që i përdor, qëndrojini larg”, çfarë janë platformat Sky dhe Encro Chat?

Besfort Lamallari, zv/ministër i Brendshëm, sqaroi në “Dita Jonë” se çfarë janë platformat Sky dhe Encro Chat.

“Janë platforma të krijuara fillimisht për të ofruar anonimitet dhe siguri të informacionit të shkëmbyer, për ata persona që në një moment të caktuar kishin probleme me policinë. Fillimisht doli Encro Chat, por me hakimin e tij, pjesa dërrmuese e përdoruesve kaluan në Sky. Këto janë me pagesa shumë të larta. Encro Chat llogaritet të kishte rreth 60 000 përdorues, ndërsa Sky rreth 170 000. Ka pasur 3 milionë mesazhe në ditë vetëm në Encro. Ajo çfarë ndodhi është që në qershor të këtij viti, autoritetet kishin përpunuar 150 milionë mesazhe. Bëhet fjalë për mesazhe të koduara dhe që është e vështirë të kuptohen”, shpjegoi Lamallari.

Sipas tij, Shqipëria është një nga vendet që ka marrë menjëherë masa me formularët e vetëdeklarimit, ku policët kanë kohë 30 ditë për të treguar se çfarë celulari kanë përdorur.

“Përdorimi i këtyre platformave nuk ka pasur rregullim ligjor në vendet e BE-së, vetëm tani ka nisur. Por, ajo që është e rëndësishme të kuptojmë është që çdo punonjës policie duhet të deklarojë telefonin që përdor. Nëse ka telefon të përdorur që nuk është deklaruar në formular, do të thotë që ka informacion të paplotë. Kjo përbën deklarim të rremë dhe shkak për ndjekje penale. Ata që deklarojnë përdorimin e platformave të tilla, duhet të thonë pse e kanë përdorur. Nëse njihni dikë që i përdor këto platforma, duhet të qëndroni larg tij. Janë platforma që kushtojnë, nuk justifikohet përdorimi i tyre për kapriço të vogla. 1000 euro kushton Encro dhe 1500 euro abonimi 6-mujor”, theksoi më tej zv/ministri.