Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se gërmimet e nisura në vitin 2021 në Shtavalj, Sienicë të Serbisë për varrezë të mundshme masive, kanë rifilluar të enjten pas kërkesave e takimeve mes nëngrupeve punuese të dy vendeve me ndërmjetësim te Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Të pranishëm në këto gërmime janë edhe zyrtarë nga Komisioni Qeveritar si dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.
“Pas 2 vitesh kërkesash e takimesh në mes të nëngrupeve punuese të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, gërmimet e nisura në maj të vitit 2021, me datë 08.11.2023, përkundër disa paqartësive që ekzistojnë, kanë rifilluar në lokacionin e quajtur Shtavalj, Sienicë, në territorin e Serbisë. Të pranishëm në këto gërmime, janë ekipet tona nga KQPZH dhe IML” – bëhet e ditur në njoftim.
Komisioni në njoftim thekson se me qellim të ruajtjes së procesit, do të njoftojnë në momentin e parë që mund të ketë gjetje në atë lokacion.
Lokacioni Shtavalj, është vetëm njëri nga lokacionet e shumta që Kosova ka prezantuar si varreza të mundshme masive në Serbi, dhe që në vazhdimësi ka bërë kërkesë për të marrë informacione kredibile dhe për të vazhduar me gërmimet./Kallxo.com